Sot shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta i një prej figurave më të mëdha të artit shqiptar, aktorit të shquar Kadri Roshi, i cili u nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në teatër dhe kinematografi.
Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, në një familje me prejardhje nga Libohova. Fëmijëria e tij u shoqërua me vështirësi të mëdha, pasi humbi nënën në moshën dyvjeçare dhe më pas edhe të atin kur ishte vetëm 12 vjeç. Pavarësisht sfidave, ai arriti të ndërtojë një rrugëtim të jashtëzakonshëm artistik.
Studimet e larta i përfundoi në Zagreb të Kroacisë, ndërsa karrierën artistike e nisi shumë herët. Në moshën 21-vjeçare u bë pjesë e Teatrit Popullor, duke qenë ndër themeluesit e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor. Nga ajo kohë, Roshi ndërtoi një karrierë të pasur me rreth 180 role në teatër dhe film, duke u shndërruar në një nga ikonat më të mëdha të skenës shqiptare.
Ai punoi dhe interpretoi krah artistëve të njohur të brezit të tij, si Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana dhe Marika Kallamata. Me talentin e tij të lindur dhe interpretimin e fuqishëm, Kadri Roshi krijoi figura të paharrueshme, duke u konsideruar nga shumëkush si një legjendë e artit shqiptar.
Kontributi i tij u vlerësua me çmime të shumta. Në vitin 1995 u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, ndërsa në vitin 1997 mori Çmimin e Madh të Nderit. Në vitin 1999, Roshi u dekorua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Gjatë karrierës së tij ai interpretoi në dhjetëra filma të njohur shqiptarë, mes të cilëve spikasin “Tana”, “I teti në bronz”, “Lulekuqet mbi mure”, “Njeriu me top”, “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë”, “Ali Pash Tepelena”, “Mirupafshim” dhe shumë të tjerë, të cilët mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së kinematografisë shqiptare.
Kadri Roshi mbetet një figurë e pavdekshme e artit shqiptar, ndërsa rolet dhe kontributi i tij vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë artistësh dhe dashamirësish të teatrit dhe filmit./KultPlus.com



