“Diella”, ministrja e parë e krijuar me inteligjencë artificiale, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Future Fit Seal – Global Edition Award” në kuadër të Samitit të Qeverive Botërore, që u mbajt në Dubai.
Ky vlerësim ndërkombëtar u dha për modelin inovativ të qeverisjes digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve publike, një nismë që synon rritjen e transparencës, efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se ky çmim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë dhe një hap të mëtejshëm drejt modernizimit të administratës publike. Sipas saj, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale synon t’i përgjigjet më shpejt dhe më saktë nevojave të qytetarëve.
Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka prezantuar një ministre të bazuar në inteligjencë artificiale në mandatin e ri qeverisës, të njohur si “Rama 4”. Projekti “Diella” është vlerësuar edhe nga partnerë dhe institucione ndërkombëtare, duke u konsideruar si një model vizionar për ofrimin e shërbimeve publike më të shpejta, më efikase dhe më gjithëpërfshirëse.
Samiti i Qeverive Botërore në Dubai mbledh çdo vit liderë politikë, ekspertë dhe inovatorë nga mbarë bota për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe rolin e teknologjisë në transformimin e administratës publike./KultPlus.com



