Shkup, 5 shkurt – Kryeministri Hristijan Mickoski pasdite do të takohet me Sindikatën e AOGJSH-së. Takimi u caktua për në ora 16:45, ndërsa ndodh pasi Miskoski dha ofertë për rritje të pagave, për të cilën AOGJSH njoftoi se është e pranueshme dhe në mënyrë plotësuese do të bisedohet në kuadër të organizatave sindikale.
Paraprakisht, oferta e Qeverisë është pranuar edhe nga KSL, e udhëhequr nga Bllagoja Ralpovski.
Në deklaratë për media, kryeministri tha se oferta është në tryezë më shumë se një vit dhe se është i gatshëm për takim dhe nënshkrim të marrëveshjes kolektive për nëpunësit shtetërorë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur dje pyetjeve të gazetarëve në lidhje me diskutimet aktuale për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për punonjësit në administratën publike me përfaqësuesit e sindikatave, tha se Qeveria ka formulën e vet për llogaritjen e pagave të punonjësve në administratë.
“Shumica e përfaqësuesve të sindikatave, edhe reprezentues edhe të degës, pajtohen me qëndrimin e Qeverisë, me disa përjashtime. Formula e ofruar nga Qeveria në lidhje me mënyrën se si do të ndiqet rritja e pagave për administratorët, do të thotë të ardhura graduale më të larta për ta, e jo vetëm për aq sa do të rritet paga minimale”, tha Mickoski.



