Në një fjalim të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara, z. Bujar Osmani ngriti alarmin për zhvillimet e fundit në
Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se përpjekjet për të minuar
marrëveshjet që kanë garantuar stabilitetin në rajon përfshirë
Marrëveshjen e Ohrit përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e përgjithshme.
Osmani tha se sot presioni nuk ushtrohet më vetëm me mjete ushtarake,
por përmes narrativave politike dhe institucioneve, duke përmendur
konkretisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut si pjesë
e një klime që mund të çojë drejt destabilizimit.
Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë e hapësirës së
konkurrencës strategjike dhe se integrimi rajonal, infrastruktura dhe
bashkëpunimi politik janë elemente kyçe të parandalimit modern. Në këtë
kontekst, Osmani përmendi edhe Iniciativën e Korridorit 8, të cilën e
cilësoi si projekt sigurie për krahun jugor të NATO-s.
Në fund, ai apeloi që rajoni të mos trajtohet vetëm si hapësirë për
menaxhimin e krizave, por si investim strategjik në arkitekturën
euroatlantike të sigurisë, duke paralajmëruar se injorimi i këtyre
zhvillimeve sot mund të prodhojë pasoja serioze në të ardhmen.



