Shkup, 02.02.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me Ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Iveta Hriçová.
Në takimin Hoxha-Hriçová u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore që Republika e Sllovakisë i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian përfaqëson një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve.
Veçanërisht u vlerësua roli i Republikës së Sllovakisë në nxitjen e debatit publik dhe institucional mbi perspektivën evropiane të vendit tonë, si dhe mbështetja për Konventën Kombëtare për Bashkimin Evropian, e iniciuar nga Ambasada e Sllovakisë në Shkup, si një mekanizëm i rëndësishëm për dialog gjithëpërfshirës dhe shkëmbim përvojash në procesin e anëtarësimit në BE.
Ministri Hoxha prezantoi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të procesit të integrimit në BE, me fokus në shfrytëzimin efikas të fondeve IPA.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se takimi përbën një bazë të mirë për identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim të ardhshëm dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovakisë.



