Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se nga sot fillon zbatimi i sistemit “Safe city”, një projekt kombëtar për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sistemi fillimisht do të vendoset në qytetet me numrin më të madh të humbjeve njerëzore nga aksidentet rrugore – Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe përgjatë Korridoreve 8 dhe 10.
Sipas Isenit, qëllimi i këtij sistemi nuk është ndëshkimi, por parandalimi i aksidenteve dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.
“Ky sistem nuk është për gjoba, por për shpëtim jete. Askush nuk do të dënohet nëse me sjelljen e tij nuk rrezikon jetën e të tjerëve në komunikacion”, ka thënë Iseni.
Në fazën e parë, kamerat do të evidentojnë vetëm shkeljet më të rrezikshme; parkim i parregullt; tejkalim i shpejtësisë së lejuar; kalim në dritë të kuqe; drejtim automjeti me leje qarkullimi të skaduar. Kamerat janë vendosur vetëm në pikat kritike, aty ku për vite me radhë janë humbur jetë njerëzish.
Iseni, madje me apel tek të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut, jo për shkak të kamerave, por për shkak të jetës.
“Rrugë më të sigurta nënkuptojnë më pak viktima dhe më shumë përgjegjësi. Siguria nuk është ndëshkim – është detyrim ndaj popullit”, ka shkruar zëvendësministri Iseni.



