Ikona e muzikës së viteve ’80 dhe një nga artistët më me ndikim në historinë e muzikës moderne, Phil Collins, feston sot 74-vjetorin e lindjes.
I lindur më 30 janar 1951 në Londër, Phil Collins hyri në botë shumë përpara se të parashikohej se do të bëhej një prej figurave më të mëdha të industrisë muzikore. Që në fëmijëri, gjatë viteve ’50, ai u magjeps nga ritmi dhe skena, duke nisur fillimisht si aktor, përpara se muzika të bëhej qendra e jetës së tij.
Në vitin 1970, Collins iu bashkua grupit Genesis si baterist, në një periudhë kur banda ishte ende në kërkim të identitetit të saj artistik. Një kthesë vendimtare ndodhi në vitin 1975, kur largimi i Peter Gabriel e shtyu Phil Collins të merrte rolin e vokalistit kryesor një vendim që do ta ndryshonte përgjithmonë historinë e grupit.
Mes viteve 1976 dhe fillimit të viteve ’80, Genesis u shndërrua në një fenomen global me albume si A Trick of the Tail, Duke dhe Invisible Touch. Zëri i Collins u bë menjëherë i dallueshëm: emocional, i sinqertë dhe thellësisht njerëzor.
Në vitin 1981, ai nisi karrierën solo me albumin Face Value, i cili përfshinte këngën legjendare “In the Air Tonight” një këngë që nuk u bë vetëm hit, por një moment kulturor që vazhdon të jetojë edhe sot, falë ritmit të saj të paharrueshëm të baterisë.



