Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerësoi se Ushtria e Maqedonisë së Veriut gëzon reputacionin më të lartë në vend dhe është plotësisht e krahasueshme me ushtritë e vendeve partnere. Në një takim të gjatë me drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe ministrin e Mbrojtjes, ajo theksoi se prezantimi i detajuar dëshmoi seriozitetin, gatishmërinë luftarake dhe nivelin e lartë profesional të ushtrisë. Si komandante supreme, Siljanovska-Davkova nënvizoi se besimi i partnerëve ndërkombëtarë reflektohet në pjesëmarrjen aktive në misione dhe stërvitje të mëdha, duke veçuar ushtrimet në Krivollak me rreth 2 mijë pjesëmarrës. Ajo e cilësoi diplomacinë ushtarake si një nga pikat më të forta të shtetit, duke përmendur bashkëpunimin e shkëlqyer me Greqinë, Bullgarinë, SHBA-të dhe partnerët e BE-së. Presidentja theksoi se buxheti i mbrojtjes ka kornizë strategjike cilësore dhe paralajmëroi avancime të mëtejshme, ndërsa vuri si synim rritjen e përfaqësimit të grave në ushtri deri në 30 për qind.
“Kur flas për diplomacinë ushtarake, sot e kam të qartë se pse ne jemi partner strategjik i respektuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse pjesa më e madhe e aktiviteteve bëhen me ta, por njëjtë po aq aktivitete kemi edhe me partnerët e BE-së. Ja kjo është ajo që unë them “jo ose-ose”, por “edhe-edhe” dhe ky është shansi që e shoh për zhvillim të mëtejshëm”, deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.



