Në Gjilan është përmbyllur edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2026”, me shfaqjen e natës së pestë “Gërdia”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Shfaqja “Gërdia”, një dramë psikologjike intime, trajton krizën e brendshme të një burri, fajin, heshtjen dhe frikën nga ekspozimi emocional, duke hapur tema mbi burrërinë, ndjenjat e shtypura dhe rutinën e jetës pa kuptim. Konflikti dramatik lidhet me një ngjarje traumatike të fëmijërisë së kryepersonazhit, e cila shpaloset gradualisht deri në qartësimin final të veprës.
Produksioni, i cili më herët është vlerësuar si tekst fitues në Konkursin e Dramës Kombëtare “Katarina Josipi”, u prezantua në konkurrencën zyrtare të festivalit dhe u prit pozitivisht nga publiku gjilanas. Jehona e festivalit, i konsideruar unik për nga struktura organizative dhe përmbajtësore në dramaturgjinë kombëtare, si dhe fakti që shfaqja mban vulën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sollën në sallë artdashës nga qytete të ndryshme shqiptare.
Interesimi i publikut ishte i kënaqshëm edhe në natën përmbyllëse, duke pasur parasysh se “Gërdia”, me autorësi të dyfishtë të Asdrit Kabashit, është një realizim i ri dhe në Gjilan u prezantua në fazën e hershme të rrugëtimit të saj artistik. Në sallë ishin të pranishëm artdashës nga Prishtina, Gjilani, Podujeva, Ferizaji, Lipjani, Dibra dhe qytete të tjera.
Vlerësimet kritike për shfaqjen ishin të balancuara, ndërsa loja e aktorëve u veçua si një nga pikat më të forta të realizimit, me theks të veçantë në interpretimin e aktorit Bujar Ahmeti. Dramaturgu Agron Gërguri e cilësoi veprën si “një ndërtim mbi fotografinë e depresionit kolektiv, të personifikuar përmes një personazhi”, duke theksuar fuqinë e ansamblit aktorial. Ndërkohë, kritiku Shemsi Doda vlerësoi se shfaqja ndërtohet mbi një narracion të paqëndrueshëm, ku kufiri mes reales, ëndrrës dhe makthit shpesh mbetet i paqartë.
Me shfaqjen “Gërdia” është ulur perdja e edicionit të 35-të të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”. Vlerësimi i shfaqjeve pjesëmarrëse i mbetet jurisë profesionale në përbërje: Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi, të cilët do të ndajnë çmimet në gjashtë kategori, përfshirë shfaqjen më të mirë, regjinë, tekstin dhe interpretimet aktoriale.
Pas përmbylljes së festivalit të dramës, Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” vazhdon me aktivitete në fushën e arteve muzikore dhe letrare, deri më 31 janar, kur pritet të mbyllet zyrtarisht me ndarjen e çmimeve në katër shtyllat kryesore artistike.



