Kryetari i Dibrës Mela për vizitë pune në kompaninë “Knauf” në Iphofen, Gjermani

Dibër, 29 janar – Me ftesë të menaxhmentit të kompanisë “Knauf”, kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, realizoi një takim të rëndësishëm pune në selinë e kompanisë, e cila është lider botëror në prodhimin e gjipsit dhe produkteve të gjipsit.

“Takimi u zhvillua në qytetin Iphofen të Gjermanisë, ku ndodhet selia e kompanisë, e cila ka më shumë se 320 fabrika në botë. Kjo është hera e parë që kryetari i Komunës së Dibrës viziton selinë e “Knauf” në Gjermani, gjë që është një tregues i qartë i rëndësisë strategjike të bashkëpunimit midis dy palëve”,  informuan nga Komuna.

Në takim morën pjesë Tobias Stricket, drejtor për investime strategjike në nivel global, Tomas Kramer, menaxher teknik në nivel global, dhe Blendar Sela, Menaxher i fabrikës “Knauf” në Dibër.

“Gjatë bisedimeve u shqyrtuan funksionimi i fabrikës ekzistuese në Dibër, investimet e bëra deri më tani, si dhe planet për ndërtimin e një fabrike të re me kapacitete prodhimi dukshëm më të mëdha, me një vlerë të përgjithshme investimi prej gati 44 milionë eurosh”, shtojnë nga komuna.

Është realizuar edhe vizitë në fabrikën “Knauf” në Iphofen, e vendosur në të njëjtin kompleks industrial, ku u prezantuan proceset e prodhimit dhe standardet më moderne teknologjike, me theks të veçantë në nivelin e lartë të sigurisë dhe zbatimin e të njëjtave standardeve në të gjitha fabrikat e kompanisë në të gjithë botën, pa përdorur praktika jo standarde ose të rrezikshme.

Kompania “Knauf” në vitin 1997 me blerjen e aksioneve u bë pronare e fabrikës së atëhershme të gjipsit dhe parafabrikimit të gjipsit “Radika” në Dibër.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit