Shkup, 29 janar – Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti në intervistën e mbrëmshme për Click plus në Tv21 ka bërë të ditur se rruga Svetan Dimov tashmë është përfshirë në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe ka hyrë në planin e furnizimeve, duke hapur rrugën për nisjen e punimeve gjatë këtij viti.
“Rruga Svetan Dimov veç ka hyrë në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe ka hyrë në planin e furnizimeve. Kemi pasur pak ngecje për shkak se nuk kemi mundur t’i gjejmë të gjitha dokumentacionet nga qeverisja e kryetares së kaluar”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se pas një takimi të përbashkët me kryetarin e Qytetit të Shkupit, procedurat janë në fazën përfundimtare për hapjen e prokurimit publik.
“Kemi pasur takim të përbashkët me kryetarin e qytetit dhe po i finalizojmë procedurat për ta hapur prokurimin për ndërtimin e rrugës Svetan Dimov në Çair”, theksoi ai.
Mexhiti njoftoi gjithashtu se i gatshëm është edhe projekti për rrugën Mithat Frashëri, e njohur më herët si “Brigada Kosovë-Maqedonase”, e cila po ashtu është përfshirë në buxhetin e Qytetit të Shkupit.
“Projekti është i gatshëm dhe ka hyrë në buxhetin e Qytetit të Shkupit edhe rruga Mithat Frashëri, nga udhëkryqi ku fillon komuna e Butelit-Shutkës deri te Gjon Kenedi”, tha Mexhiti.
Sipas tij, faza më kritike e këtij projekti mbetet lidhja nga rruga Gjon Kenedi drejt Bulevardit Nikola Karev.
“Faza më kritike është prej Gjon Kenedi për dalje në Bulevardin Nikola Karev. Kemi përparësi projektimin e kësaj rruge, që fillimisht ta kemi projektin e saktë dhe ta dimë se çka duhet të rrënohet”, sqaroi ai, duke shtuar se kjo pjesë do të realizohet në fazën e dytë.
Më tej, Mexhiti foli edhe për planet për ndërtimin e një qarkoreje që do të lidhë lagjen e Gazi Babës me Autokomandën, si zgjidhje për lehtësimin e qasjes dhe komunikacionit.
“Po punojmë për të gjetur zgjidhje edhe për një qarkore që e lidh lagjen e Gazi Babës me Autokomandën, duke pasur parasysh se në këtë lagje jetojnë mes 15.000 dhe 20.000 banorë”, tha ai.
Në fund, Mexhiti konfirmoi se prioritet i këtij viti mbetet fillimi i punimeve konkrete.
“Ajo që është më e sigurt, këtë vit e fillojmë rrugën Svetan Dimov dhe rrugën e Jaja Pashës”, përfundoi ai.



