Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka marrë pjesë sot në forumin tematik “Përdorimi i të dhënave mbi pronarët përfitues për reduktimin e korrupsionit”, të organizuar nga Qendra për Komunikime Civile, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Në fjalën e tij, Fetai theksoi rëndësinë e transparencës mbi pronësinë përfituese si një instrument kyç për parandalimin e korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Sipas tij, edhe pse Regjistri i Pronarëve Përfitues tashmë ekziston, sfida kryesore mbetet funksionalizimi i tij si mjet aktiv dhe efektiv kundër korrupsionit.
“Qëllimi ynë është ta kthejmë këtë regjistër nga një databazë pasive në një instrument të gjallë mbikëqyrës”, theksoi Fetai, duke njoftuar se aktualisht po punohet për ndërlidhjen e të dhënave të regjistrit me Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik, si dhe me mekanizma të tjerë mbikëqyrës, me synim uljen e rrezikut për abuzime dhe rritjen e llogaridhënies institucionale.
Zëvendëskryeministri vuri në pah se lufta kundër korrupsionit kërkon përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së të dhënave, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe fuqizim të aktorëve kyç si gazetarët, shoqëria civile dhe institucionet zbatuese.
“Kur e kthejmë të dhënën në veprim konkret, krijojmë mekanizma realë kundër korrupsionit”, tha Fetai, duke theksuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në avancimin e qeverisjes së mirë dhe transparencës, si pjesë integrale e procesit të integrimit evropian.
Sipas tij, vetëm përmes transparencës dhe llogaridhënies ndërtohet besimi i qytetarëve dhe një shoqëri më e fortë dhe më e drejtë.



