Ali Ahmeti: Rafi Halili mbetet frymëzim i përjetshëm i rezistencës dhe veprimit kombëtar

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të revolucionarit Rafi Halili, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.

Në një postim në Facebook, Ahmeti thekson se Rafi Halili ishte pjesë e pandashme e përpjekjeve për liri, drejtësi dhe barazi, duke dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në veprimin politik e revolucionar të kohës.

Ai rikujton se Halili drejtoi organizatën revolucionare “Kushtrimi i Lirisë”, si dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila shërbeu si zë i rezistencës politike në atë periudhë.

“Si bashkëveprimtar i Rexhep Malës dhe Gafurr Lokut, Rafi Halili i përkiste brezit që e kuptoi se ndryshimi kërkon guxim, përkushtim dhe sakrificë”, shkruan Ahmeti, duke shtuar se jeta dhe vepra e tij mbeten pjesë e trashëgimisë kolektive dhe frymëzim për brezat e rinj.

Në fund të mesazhit, Ahmeti shpreh respekt të veçantë për figurën e Rafi Halilit, duke përmbyllur me fjalët:

“Lavdi jetës dhe veprës së tij.”

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit