Miratohen ndryshimet në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut

Me 76 vota “për”, deputetët miratuan ndryshimet në Kodin Penal, të propozuara nga një grup deputetësh të shumicës. Sipas pushtetit, kjo nënkupton forcimin e politikës penale dhe riparimin e dëmeve nga ndryshimet në vitin 2023.

“Zgjidhjet e reja ligjore rivendosin thelbin e politikës penale, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Forcojnë kompetencën e prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe janë në përputhje me vërejtjet e përfshira në raportin e Komisionit Evropian”, deklaroi Mile Lefkov, deputet nga OBRM-PDUKM.

Para votimit nuk kishte debat. Vetëm deputetja Jovana Mojsoska nga “E Majta” foli, duke thënë se partia e saj ishte kundër.

“Ne nuk e shohim Kodin Penal ende, as pushteti i kaluar nuk e miratoi, ndërsa tendenca është që as kjo qeveri të mos e miratojë. Një kod i tillë penal, është vetëm zgjidhje kozmetike për të përmbushur afatin e përcaktuar nga gjykata kushtetuese”, tha Jovana Mojsoska, deputete nga partia E Majta.

Kundër ishte edhe LSDM-ja opozitare. Sipas Filipçes, ndryshimet nënkuptojnë amnisti për krimin e OBRM-PDUKM-së.

“Kjo është një përpjekje tjetër për të treguar diçka si një ligj reformues, dorëzimi i një ligji reformues dhe amnistim i zyrtarëve aktualë lejohet në një derë të vogël”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Ndryshimet në Kodin Penal do të jenë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet Kodi Penal krejtësisht i ri nga një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, i cili, sipas njoftimeve të fundit, duhet të jetë gati deri në qershor të këtij viti. /Alsat/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit