Perinski nga Lozova: Zhvillimi i barabartë rajonal nis nga komunat e vogla, aty ku investimet ndihen më shumë

Në kuadër të karavanit “Aty ku zemra është shtëpia”, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, vizitoi Komunën e Lozovës. Gjatë vizitës, ai zhvilloi takim me kryetarin e komunës, Boshko Cvetkovski, dhe anëtarët e Këshillit Komunal, ku u diskutua për aktivitetet kyçe të ministrisë, mundësitë që kanë komunat në dispozicion, si dhe për nevojat konkrete dhe planet zhvillimore të Lozovës, të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Ministri Perinski theksoi se prioritet i tij mbetet prania direkte në terren dhe dëgjimi i drejtpërdrejtë i kërkesave të komunave. Në takim u prezantua edhe funksionimi i Qendrës së Resurseve, përmes së cilës komunat mund të marrin mbështetje profesionale për menaxhim më efikas të proceseve zhvillimore.

Gjatë vizitës u realizua edhe inspektimi i dy projekteve infrastrukturore:

  • “Rikonstruksioni dhe rregullimi urban i parcelës nr. 2411 në Lozovë” dhe

  • “Rikonstruksioni dhe rregullimi urban i parcelës nr. 2055 në Lozovë”,

të financuara përmes Programit për zvogëlimin e dallimeve rajonale dhe rritjen e konkurrueshmërisë për vitin 2025. Vlera totale e projekteve arrin 6.171.976 denarë.

Falë këtyre investimeve, qytetarët e Lozovës kanë përfituar kënd të ri lojërash për fëmijë, ndriçim modern, pajisje urbane dhe hapësirë publike të rregulluar para objektit të komunës, duke krijuar një ambient të ri për aktivitete të përditshme dhe socializim.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale njofton se do të vazhdojë me takime në terren dhe mbështetje konkrete për komunat, në funksion të një zhvillimi të barabartë dhe të qëndrueshëm lokal.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit