Bie fuqia ushtarake e Maqedonia e Veriut në renditjen globale për vitin 2026, mbetet 37 vende pas Shqipërisë

Maqedonia e Veriut është renditur në vendin 114 nga 145 shtete të përfshira në vlerësimin vjetor të Global Firepower (GFP) për renditjen e fuqisë ushtarake për vitin 2026, shkruan Potalb.mk.

RMV-ja ka rezultat të Indeksit të Fuqisë (PwrIndx) prej 2.4956 (ku rezultati 0.0000 konsiderohet “perfekt”). Në krahasim me vitin e kaluar, vendi ka shënuar rënie.

Nga vendet e rajonit të analizuara, pas RMV-së edhe Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie dhe renditen në vendin 133.

Shqipëria ka shënuar rritje dhe renditet në vendin 77.

Më lartë nga vendet e rajonit renditen Greqia në vendin e 30, Bullgaria në vendin 62, Serbia në vendin 63, Kroacia në vendin 72 dhe Sllovenia në vendin 91.

Lidhur me këto të dhëna ka reaguar Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ata thonë se Maqedonia e Veriut po shënon regres të vazhdueshëm në çdo raport ndërkombëtar.

“Raporti vjetor i platformës ndërkombëtare Global Firepower për vitin 2026 është edhe një dëshmi e qartë e stagnimit dhe regresit të Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë dhe kapaciteteve shtetërore. Ndërsa vendet e rajonit shënojnë progres ose të paktën ruajnë pozicionet e tyre, Maqedonia e Veriut vazhdon të bjerë”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.

Në 10 vendet e para janë të radhitura SHBA-të, Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Franca, Japonia, Britania e Madhe, Turqia dhe Italia.

Renditja përfundimtare e Global Firepower përdor mbi 60 faktorë individualë për të përcaktuar rezultatin e Indeksit të Fuqisë (PowerIndex) për secilin shtet, me kategori që variojnë nga numri i njësive ushtarake dhe gjendja financiare, deri te kapacitetet logjistike dhe gjeografia.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit