Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, në një intervistë ekskluzive për ora24.tv, ka deklaruar se që para fushatës zgjedhore, gjatë saj dhe edhe tani, është theksuar vazhdimisht se përgjegjësia për punën dhe përmbushjen e premtimeve është e domosdoshme.
“Ne do të bëjmë revizion të plotë dhe do të ketë përgjegjësi. Revizioni është kërkuar dhe është pranuar, ndërsa në këtë proces do të përfshihet edhe Komuna e Strugës”, ka theksuar Qyra.
Ai ka bërë të ditur se tashmë ka nisur edhe auditimi i sektorit të IT-së, duke e cilësuar këtë sistem si shumë të rëndësishëm, pasi përbën bazën e funksionimit të të gjithë mekanizmit komunal.
“Për momentin jemi në fazën e auditimit për të pasur informata të sakta. Të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe për revizionin e komunës dhe të ndërmarrjeve publike, me qëllim që të dalim me shifra të sakta dhe të kuptojmë formën e menaxhimit dhe keqmenaxhimit të këtyre ndërmarrjeve”, ka deklaruar Qyra.
Sipas tij, pas përfundimit të këtyre proceseve, përgjegjësit dhe drejtuesit do të duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë.
“Sigurisht që do të kërkojmë që përgjegjësit të përgjigjen para gjykatës”, ka përfunduar Qyra.
https://www.facebook.com/share/v/1AgqYHi2uQ/



