Në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosën kurora me lule pranë pllakës përkujtimore që shënon vendndodhjen e sinagogës së fundit në Kosovë, e cila dikur ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës.
Me këtë rast, u nderua kujtimi i miliona viktimave që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore atyre që u pushkatuan, u mbytën me gaz, u dogjën në krematoriume apo humbën jetën nga kushtet çnjerëzore në kampet e përqendrimit dhe gjatë aksioneve naziste, përcjellë KultPlus.
Në mesazhin e tij, kryeministri Kurti theksoi se krimet mizore të kryera gjatë asaj periudhe i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes të cilit sot emërtohen vrasjet dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të plota, ndaj komuniteteve të caktuara etnike, kombëtare, fetare apo racore.
Ai theksoi se populli i Kosovës, duke qenë vetë viktimë e gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia, ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që kanë përjetuar tragjedi të ngjashme.
Në përvjetorin përkujtimor, institucionet e Kosovës ritheksuan rëndësinë e kujtesës historike, si mënyrë për të nderuar viktimat dhe për të garantuar që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë./KultPlus.com



