Policia e Tetovës është duke ndërmarrë masa për zbardhjen e rrahjes mes dy nxënësve nga dy shkolla fillore në Tetovë. Motivet e zënkës nuk dihet akoma, por ajo që mësohet zyrtarisht është se të përfshirat në konflikt kanë kërkuar leje që të dalin më herët nga mësimi dhe të konfrontohen, ndërsa i kanë njoftuar edhe shokët dhe shoqet e klasës që të paraqiten në vendin e incidentit dhe ta filmojnë rastin.
“MPB menjëherë ka marr masa dhe aktivitete për zbulimin e tërësishëm të rastit dhe marrjen e masave përkatëse për këtë rast. Po ashtu, SPB Tetovë përmes ekipit për parandalim, do organizoj dhe takoj drejtorët e shkollave të Tetovës me qëllim që të parandalohen rastet e tilla në të ardhmen dhe njoftimin më efikas për rastin në fjalë, sipas informacioneve, duket që ka të bëj me organizim përmes rrjeteve sociale”, deklaroi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Drejtuesit e shkollave nga ku janë nxënësit e përfshirë në incident paralajmëruan masa ligjore.
“Do angazhohemi edhe ne si shkollë që të marrim masa dhe të kemi në rend të parë sigurinë e nxënësve sepse, është një rast shumë tronditës dhe na ka prek tej mase dhe nuk do doja ti ndodh asnjë fëmije kjo që pamë në incizimet në rrjetet sociale. Apeloj prindërit dhe institucionet që të jemi sy çelë dhe këto raste ti trajtojmë në mënyrë më të mirë të mundshme”, tha Farije Kasami, drejtoreshë e Sh.F. “Liria”, Tetovë.
“Nga të dhënat jo zyrtare që mora unë dhe nga organet kompetente, pamë që rasti është i inskenuar i përgatitur prej më parë. Ne sigurisht që menjëherë i thirrëm prindërit dhe do marrim masa përkatëse në kuadër të Ligjit dhe shpresojmë që të jetë rasti i fundit”, u shpreh Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e SHF “Kirili dhe Metodi”, Tetovë.
Drejtuesit e shkollave i bënë apel prindërve që në rastet kur shohin agresion tek fëmijët dhe pasiguri emocionale t’i denoncojnë ato dhe të bashkëpunojnë me organet me qëllim parandalimin e dhunës dhe urrejtjes mes nxënësve. /Alsat.mk



