Ligji për “Safe City” është një nga ligjet më të rëndësishme që janë miratuar në Maqedoninë e Veriut, sepse në thelb të tij ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e sigurisë në hapësirën publike. Ky ligj nuk ka të bëjë me kamera apo gjoba, por me krijimin e kushteve që çdo qytetar të lëvizë pa frikë dhe pa rrezik për jetën.
“Safe City” do të thotë rrugë më të sigurta për këmbësorët, për çiklistët, për përdoruesit e trotinetëve elektrikë dhe për personat me invaliditet. Do të thotë që një nënë të ecë me fëmijën e saj pa frikë, që një qytetar të mos humbasë jetën për shkak të pakujdesisë së dikujt tjetër dhe që hapësira publike t’u shërbejë njerëzve, jo kaosit në komunikacion.
Ky ligj synon drejtpërdrejt uljen e aksidenteve fatale dhe përmirësimin e sigurisë rrugore, veçanërisht në autostrada, rrugë rajonale dhe bulevarde urbane, ku rreziku është real dhe i përditshëm. “Safe City” është një mjet modern për menaxhimin e sigurisë publike, i cili i përgjigjet sfidave bashkëkohore dhe e afron vendin tonë me standardet evropiane.
Sot, qytetet moderne në Evropë përdorin sisteme të integruara të monitorimit dhe reagimit të shpejtë, sepse ato e rrisin sigurinë, e ulin hapësirën për shkelje dhe i bëjnë institucionet më efikase dhe më profesionale. “Safe City” është pikërisht një hap i tillë drejt një shteti që funksionon më mirë për qytetarët e vet.
Sa i përket zbatimit të sistemit, theksojmë se tolerancat e kamerave do të jenë identike me ato që tashmë aplikohen nga radarët policorë: tolerancë prej 6 km/h për shpejtësi deri në 100 km/h dhe 8 km/h për shpejtësi mbi 100 km/h. Kjo dëshmon qartë se qëllimi nuk është ndëshkimi, por parandalimi i shkeljeve që rrezikojnë jetën e njerëzve. Toleranca vlen vetëm për kundërvajtje dhe nuk aplikohet në rastet e veprave penale në komunikacion.
Mesazhi i VLEN është i qartë: rregullat ekzistojnë për t’u respektuar dhe për të mbrojtur jetën. Siguria nuk është ndëshkim, siguria është përgjegjësi kolektive. “Safe City” është ligj për një shoqëri më të sigurt, më të rregullt dhe më humane.



