Nga rebelimi i Anne Hutchinson te BookTok: Historia e klubeve të librit

Klubet e Librave janë sot një pjesë e përditshme e jetës kulturore, por rruga e tyre ka qenë e gjatë dhe shpesh e rrezikshme. Nga sallonet e gjysmësekrete të shekullit të 17-të, te komunitetet globale online të shekullit 21, klubet e librave kanë evoluar nga takime “të rrezikshme” në një lëvizje botërore letrare.

Rrënjët radikale të rebelimit

Në fillim të shekullit të 17-të, Anne Hutchinson krijoi grupe leximi në Koloninë e Massachusetts Bay për të diskutuar predikimet dhe tekstet fetare. Për gratë e kohës, kjo ishte një veprim i jashtëzakonshëm dhe i rrezikshëm, pasi interpretimi i shkrimeve fetare ishte rezervuar vetëm për burrat. Hutchinson u gjykua dhe u dëbua për këtë aktivitet, duke treguar se diskutimet mbi librat mund të ishin më shumë se një hobi ato ishin një formë rebelimi.

Blue Stockings Society

Në shekullin e 18-të, klubet e librave morën një formë më të rafinuar dhe edukative. Blue Stockings Society ishte një lëvizje sociale ku gratë dhe disa burra diskutonin për libra dhe art. Takimet shërbenin si alternativë ndaj bisedave triviale, lojërave me letra dhe aktiviteteve të zakonshme të kohës. Emri “Blue Stockings” vinte nga një anëtare që vishte çorape të thjeshta blu, simbol i rëndësisë së mendjes mbi formalitetin e veshjes. Ky ishte themeli i ‘klubeve të librave ‘book club’-eve moderne.

Një rrugë drejt përmirësimit personal

Gjatë shekullit të 19-të, falë Revolucionit Industrial, shkollimi dhe leximi u bënë më të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Lindi koncepti i “mutual improvement societies” ose shoqatave për përmirësim të përbashkët, ku njerëzit mblidheshin për të lexuar dhe diskutuar libra, shpesh duke ndarë koston e librave të shtrenjtë. Këto grupe lejuan që shkrimet të bëheshin të aksesueshme për më shumë njerëz dhe bënë të zakonshme diskutimin për libra si një mjet për njohuri dhe rritje personale.

‘Book Club ‘ në kohën moderne

Sot, gjetja e një ‘book club-i’ ose një “tribu leximi” është më e lehtë se kurrë. Në fund të shekullit të 20-të, Oprah Winfrey ndikoi fuqishëm me “Oprah Book Club”, duke i dhënë autorëve një sukses komercial të menjëhershëm dhe duke nxitur biseda globale për librat që rekomandonte. Pas saj, shumë figura publike si Jenna Bush me “Read with Jenna”, Dua Lipa me “Service95 Book Club”, dhe komunitete online si Goodreads dhe BookTok kanë krijuar book klube moderne, duke shfrytëzuar fuqinë e rrjeteve sociale për të shpërndarë njohuri dhe diskutime letrare.

Pavarësisht nga evoluimi i tyre, parimet bazë mbeten të njëjta: të mblidhen, të lidhen dhe të mësojnë. Në epokën e informacionit global, çdo lexues ka qasje te librat më të mirë dhe mundësi për diskutime që dikur ishin të rezervuara për elitat. Thjesht hap një Kindle ose vizito një bibliotekë, dhe libri tjetër i madh pret të zbulohet./KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit