Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Portugali, Edona Maloku, ka pritur në Ambasadën e Kosovës në Lisbonë poetin e njohur shqiptar Visar Zhiti, ish-ambasador dhe ish-ministër i Kulturës i Shqipërisë, së bashku me bashkëshorten e tij, Eda Agaj Zhiti.
Në kuadër të takimit, u diskutua për Kosovën dhe Shqipërinë, për historinë, kulturën dhe lidhjet e fuqishme që bashkojnë dy vendet, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe diplomatik.
Gjatë vizitës, të pranishmit vizituan edhe shtatoren e Nënë Terezës në Lisbonë, e cila qëndron si simbol miqësie dhe respekti, si dhuratë e Kosovës për qytetin portugez, në shenjë të marrëdhënieve të qëndrueshme me popullin e Portugalisë, raporton KultPlus.
Takimi mori një dimension të veçantë personal dhe historik përmes reflektimit mbi jetën dhe veprën e Visar Zhitit, i njohur ndërkombëtarisht si zë i fuqishëm i rezistencës ndaj shtypjes dhe si mbrojtës i të drejtave të njeriut.
Kontributi i tij është vlerësuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, ka shpallur 28 janarin “Ditën e Lirisë”, në nderim të lirimit të Visar Zhitit nga burgu dhe përkushtimit të tij ndaj lirisë së shprehjes dhe humanizmit.
Ambasadorja Maloku theksoi se takimi me Visar Zhitin dhe bashkëshorten e tij ishte i mbushur me reflektim, miqësi dhe krenari për vlerat kulturore dhe njerëzore që përfaqësojnë shqiptarët, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve që tejkalojnë çdo kufi./KultPlus.com



