Mucunski nesër në takimin e dytë ministror të Platformës Ballkanike të Paqes në Stamboll

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, nesër, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, do të marrë pjesë në takimin e dytë ministror të Platformës Ballkanike të Paqes, që do të mbahet në Stamboll. Në takim është paraparë të marrin pjesë ministrat e punëve të jashtme nga vendet e Ballkanit Perëndimor, bënë të ditur pasdite nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

“Platforma Ballkanike për Paqe është një iniciativë e paraqitur nga ministri Fidan në vitin 2025 me qëllim që të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal përmes një qasje të përbashkët për gjetjen e zgjidhjeve rajonale për çështjet rajonale. Takimi i parë ministror në kuadër të kësaj iniciative u mbajt në korrik të vitit të kaluar, gjithashtu në Stamboll” shtuan nga Ministria.

Është paraparë që ministri Mucunski të mbajë një fjalim në takim, ku pritet të trajtojë çështjet kryesore që lidhen me bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian, me theks në zhvillimin ekonomik, lidhjen e transportit, energjinë, digjitalizimin, si dhe arsimin dhe të rinjtë.

Në margjinat e takimit është paraparë që Mucunksi të realizojë edhe një takim të veçantë dypalësh me ministrin Fidan, në të cilin, përveç çështjeve nga fusha e bashkëpunimit dypalësh, do të bisedohet edhe për situatat rajonale dhe sfidat aktuale globale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit