Filipçe përballë revoltës së brendshme

LSDM po përballet me mospajtime të theksuara të brendshme, ndërsa presioni ndaj kryetarit të partisë, Venko Filipçe, po rritet pas deklaratave publike të ish-kryetarit të Shkupit dhe ish-deputetit, Petre Shilegov, shkruan gazeta KOHA.

Në një paraqitje televizive, Shilegov vuri në pikëpyetje legjitimitetin e kongresit të paralajmëruar të LSDM-së dhe mënyrën e drejtimit të partisë, duke paralajmëruar se pakënaqësia brenda strukturave partiake është më e gjerë. “Do të ketë kërkesa jo vetëm nga unë, por nga një grup serioz brenda partisë, ku ka edhe deputetë aktualë. Kur një pjesë e deputetëve të largohen nga partia dhe kur disa degë komunale t’ju mbyllin dyert, atëherë do ta kuptoni se duhet të largoheni”, deklaroi Shilegov.

Ai theksoi se LSDM nuk ka respektuar statutin e saj, duke mos mbajtur kongrese raportuese pas humbjeve zgjedhore. “Ne nuk patëm kongres raportues për humbjen e vitit 2021, edhe pse statuti e obligon këtë. Pas zgjedhjeve të vitit 2024 kongresi dështoi, ndërsa tani paralajmërohet një i ri, pa materiale, pa vendime politike dhe pa përfshirje të organizatave komunale”, tha Shilegov.

Sipas tij, vendimet politike të udhëheqjes aktuale shpesh janë personale dhe jo qëndrime të miratuara nga organet partiake. “Vendimi për ‘Qytet të sigurt’ nuk është qëndrim i partisë, por pikëpamje personale e Filipçes. Nuk ka vendim të organeve partiake për këtë”, theksoi ai, duke shtuar se edhe vendimi për të mos marrë pjesë në takime politike është marrë jashtë strukturave partiake.

Duke folur për pozicionin e LSDM-së në opozitë, Shilegov e cilësoi situatën si shqetësuese.“Është për keqardhje që në një klimë me shumicë opozitare në vend, LSDM të luftojë me BDI-në dhe Levicën për vendin e dytë ose të tretë, në vend që të jetë lider i opozitës”, u shpreh ai.

Pas këtyre deklaratave, LSDM reagoi përmes një kumtese, duke akuzuar Shilegovin se po vepron në koordinim me VMRO-DPMNE-në dhe duke vënë në dyshim motivet e tij. “Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për ta rrënuar LSDM-në nga brenda po vazhdojnë përmes Petre Shilegovit. Shtrohet pyetja nëse ai është i shantazhuar apo i blerë”, thuhet në reagimin e LSDM-së, ku theksohet se bëhet fjalë për një “operacion të koordinuar dhe të sinkronizuar”.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si shmangie nga përgjegjësia politike e udhëheqjes së LSDM-së. “Është absurde të pretendohet se VMRO-DPMNE po e rrëzon Filipçen përmes Shilegovit, kur nën drejtimin e Filipçes LSDM është shndërruar në partinë e tretë në vend dhe të pestën në Shkup”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga kjo parti shtojnë se gjithnjë e më shumë figura të njohura brenda LSDM-së po kërkojnë ndryshime në krye të partisë. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit