Hoxha-Gabriel: Partneritet strategjik për investime evropiane në mjedisin jetësor

Shkup, 21.01.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot një takim pune me  Bjorn Gabriel, udhëheqës i Zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) në Maqedoninë e Veriut.
Hoxha dhe Bjorn në takimin njoftues diskutuan për vayhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet Ministrisë dhe BEI-së, me fokus të veçantë në zbatimin e projekteve strategjike në fushën e mjedisit jetësor dhe infrastrukturës ujore.
Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të BEI-së në realizimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Bjorn theksoi se Banka Evropiane e Investimeve, si bankë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe si institucion  më i madh multilateral financiar, mbështet projekte të qëndrueshme që kontribuojnë në realizimin e objektivave strategjike të BE-së, me fokus të veçantë në Evropë.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar dy marrëveshje kredie me BEI-në, përkatësisht 68 milionë euro për projektin “Ndërtimi i stacionit të trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Shkupit” dhe 50 milionë euro për projektin “Përmirësimi i infrastrukturës ujore në komunat”, që përfshin 80 komuna në vend. Përveç kredive, BEI siguron edhe grante për asistencë teknike, ndërsa në kuadër të projektit për stacionin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup janë siguruar 69 milionë euro grante nga Fondi europian për Ballkanin Perëndimor (WBIF), të administruara përmes BEI-së si bankë udhëheqëse e projektit.
Bjorn riafirmoi përkushtimin e BEI-së për mbështetje të plotë në realizimin e projekteve, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me ekipet e projekteve, pjesëmarrjen e rregullt në takime koordinuese dhe rolin e BEI-së si urë lidhëse ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Të dy palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv në funksion të zbatimit me sukses të projekteve prioritare në fushën e mjedisit jetësor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit