Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos u ndal te dy çështje, atë të Groenlandës dhe luftës në Ukrainë.
Ai theksoi se çështja kryesore nuk është Groenlanda, por Ukraina. Rutte tha se është “pak i shqetësuar se mund të humbasim topin duke u përqendruar kaq shumë në këto çështje të tjera”.
Sipas tij, pavarësisht humbjeve në dhjetëra mijëra njerëz në dhjetor, Rusia po i shton ende sulmet e saj ndaj Ukrainës.
Rutte shton se përparimi në bisedimet e paqes dhe një kredi e re prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga komisioni i BE-së, e cila është dakordësuar rishtazi, nuk duhet t’u japë anëtarëve të NATO-s në Evropë idenë se mund të “harrojnë mbrojtjen e Ukrainës”.
“Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë tani, nesër dhe pasnesër. Kam nevojë që aleatët evropianë të përqendrohen në këtë çështje”, shtoi Rutte.



