TITAN Usje është një kompani përgjegjëse e cila, në të gjitha segmentet e veprimtarisë së saj, punon në përputhje me rregullativën vendore. Kompania zbaton praktikat më të mira të disponueshme në prodhim dhe përdor teknologji identike me kompanitë më të mira të industrisë së çimentos në Bashkimin Evropian.
Si pjesë konstruktive e komunitetit, TITAN Usje e kupton plotësisht shqetësimin për cilësinë e ajrit në Shkup, por konsideron se sulmet ndaj punës së saj, të cilat nuk bazohen në argumente dhe të dhëna, janë jokorrekte dhe tendencioze, si dhe nuk kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve reale dhe të qëndrueshme për këtë situatë.
Në interes të së vërtetës, dëshirojmë të theksojmë sërish faktin se TITAN Usje respekton plotësisht rregullativën ligjore në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj, zbaton praktikat më të mira botërore në prodhimin e çimentos dhe komunikon në mënyrë të qartë dhe transparente me të gjitha palët e interesuara.
Sipas rregullativës vendore, e cila në këtë segment është identike me atë të Bashkimit Evropian, TITAN Usje, si kompani mbajtëse e lejes së integruar A, është nën monitorim të pavarur dhe të vazhdueshëm 24-orësh të gazrave dalës nga oxhaqet, ndërsa rezultatet e matjeve janë publikisht të disponueshme (raporti javor është bashkëngjitur).
Vlerat kufitare të emetimeve të përcaktuara në lejen që posedon TITAN Usje janë më të rrepta se ato të parashikuara me Ligj. Megjithatë, kompania nuk i tejkalon këto kufij të lejuar. Kjo është e mundësuar nga një sistem kompleks dhe shumë efikas i filtrave modernë që fabrika i ka instaluar dhe të cilët funksionojnë detyrimisht sa herë që punojnë linjat e prodhimit.
Përveç kësaj, kompania investon vazhdimisht në modernizimin e proceseve teknologjike. Gjatë gjashtë viteve të fundit, investimet kanë tejkaluar 36 milionë euro, nga të cilat 4.5 milionë euro janë dedikuar për përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit.
Të dhënat tregojnë qartë se edhe kur TITAN Usje nuk punon, ajri ambiental ka të njëjtën cilësi, gjë që është dëshmi e qartë se kompania nuk është shkaktare e gjendjes së cilësisë së ajrit në Shkup.
Të gjitha studimet e pavarura tregojnë se industria ka ndikim më të vogël në cilësinë e ajrit krahasuar me ngrohjen e shtëpive dhe objekteve publike, trafikun, aktivitetet ndërtimore dhe djegien në hapësira të hapura.
Si kompani që punon plotësisht në përputhje me kornizat ligjore të përcaktuara, gjithmonë do të insistojmë në respektimin e parimeve të sundimit të ligjit. Si anëtar aktiv i komunitetit për më shumë se 70 vjet, jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen gjithëpërfshirëse të këtij problemi sistemor, me qëllim përmirësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit në qytet, në interes të të gjithëve.
Në këtë drejtim, gjithmonë do të insistojmë në bashkëpunim dhe debat të bazuar në fakte dhe dëshmi, e jo në përfundime të përgjithshme dhe të pabazuara, duke qenë të qartë dhe të saktë në qëndrimin tonë – burimet duhet të kërkohen në vendet e duhura.
Në bashkëngjitje janë raportet javore të rregullta të matjeve të emetimeve, të cilat janë publikisht të disponueshme.
-
Që nga viti 2007, emetimet e TITAN USJE monitorohen 24 orë në ditë, 365 ditë në vit nga një sistem i pavarur dhe automatik i monitorimit (pluhur total, SO₂ dhe NOx), të cilat kontrollohen nga organet kompetente. Kompania nuk ka asnjë mundësi të ndikojë në rezultatet e matjeve.
-
Prodhimi ndalet nëse filtrat nuk funksionojnë
Procesi teknologjik nuk lejon funksionimin e impiantit pa funksionimin e filtrave. -
TITAN USJE nuk ndikon në rritjen e pranisë së grimcave PM10 në ajër
Matjet paralele të ajrit ambiental (grimcat PM10) në rrethin e TITAN USJE nuk tregojnë ndërlidhje me gjendjen e ajrit ambiental të matur në stacione të tjera matëse, jashtë fabrikës së çimentos. -
Veprimtaria e kompanisë monitorohet vazhdimisht nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor
-
Kur furrat e TITAN USJE punojnë, ato funksionojnë 24 orë pa ndërprerje
Për arsye teknologjike dhe biznesore, TITAN USJE punon gjatë gjithë ditës dhe natës. Furrat ose funksionojnë vazhdimisht (24 orë) ose nuk punojnë fare. -
Prodhimi i çimentos është më intensiv gjatë muajve të verës sesa në dimër
Për shkak të kërkesës më të madhe sezonale për çimento, prodhimi është më i lartë gjatë muajve të verës krahasuar me dimrin.



