2.322 persona u sëmurën me grip brenda një jave në Maqedoni

Gjatë javës së dytë të janarit, përkatësisht nga 5 deri më 11 janar, përgjegjësit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) regjistruan 2.322 persona të infektuar me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, informoi sot epidemiologu Dragan Koçinski, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është 36.4 përqind më shumë se java e kaluar. Nëse e krahasojmë me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, kemi rritje prej 2.2 herë, ndërsa nëse e krahasojmë me mesataren, kemi nrritje prej 31 përqind. Jemi në një nivel aktiviteti mesatar të virusit të gripit. Numri më i madh i të infektuarve janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, si dhe më të rinjtë nga 0 deri në 4 vjeç”, informoi Koçinski.

Ka persona të infektuar në 25 nga 31 rajonet në vend, shumica e të cilëve janë në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Ohër.

Koçinski konfirmoi edhe vdekjen nga gripi.

“Është raportuar një vdekje e lidhur me gripin, është një grua e shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, e cila kishte sëmundje komorbide dhe nuk ishte vaksinuar”, tha ai.

Nga fillimi i tetorit deri më 11 janar, janë regjistruar gjithsej 6.147 persona të infektuar, që është një rritje prej 2.6 herësh krahasuar me sezonin e kaluar.

“Vetëm në Berovë, Pehçevë dhe Dellçevë nuk ka asnjë rast të regjistruar të gripit”, shtoi Koçinski.

Masat e përgjithshme mbrojtëse zbatohen për popullatën – shmangia e vendeve të mbushura me njerëz, veçanërisht nëse vërehen simptoma të kollitjes ose teshtitjes, pastaj dhomat duhet të ventilohen, të vishen rroba të ngrohta dhe vitamina dhe minerale duhet të konsumohen për të rritur imunitetin e njerëzve.

“Nëse keni probleme me frymëmarrjen, është mirë të qëndroni në shtëpi. Fëmijët nuk duhet të çohen në çerdhe ose shkollë nëse kanë simptoma të një sëmundjeje akute, dhe e njëjta gjë vlen edhe për të rriturit, të mos shkojnë në punë në mënyrë që të mos përhapin infeksionin te kolegët e tjerë. Nëse simptomat përkeqësohen, ata duhet t’ telefonojnë mjekut”, tha Koçinski.

Masa më e mirë e mbrojtjes është vaksinimi dhe deri më tani janë vaksinuar më shumë se 79,000 njerëz në vend.

“Jemi në një aktivitet mesatar të virusit të gripit. Kemi një numër të shtuar të të sëmurëve, por kjo pritet për këtë periudhë të vitit. Kulmi pritet në periudhën nga mesi i janarit deri në mesin e shkurtit. Është e vërtetë që kemi rritje disa javë më herët se sa pritej, por tani për tani nuk po japim rekomandim për të zgjatur pushimet dimërore. Por nëse ka ndryshime, do të japim masat përkatëse”, tha Koçinski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit