Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në një njoftim për media thekson se para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.
AUV thekson se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.
“Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar”, thuhet në njoftim.



