Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, priti sot në një vizitë të veçantë bashkëqytetarin Erdal Lusho, i cili ka hyrë në histori si i pari nga Maqedonia e Veriut që realizoi një udhëtim solo transatlantik me një varkë me vela prej druri, të ndërtuar me duart e tij.
Varka mban një simbolikë të veçantë – është ndërtuar nga druri i mbjellë nga gjyshi i tij, duke e kthyer këtë aventurë jo vetëm në një sfidë fizike, por edhe në një udhëtim emocional e shpirtëror, të lidhur ngushtë me rrënjët familjare.
Gjatë takimit, Erdali ndau me kryetarin përvojat e tij nga udhëtimi: sfidat e mëdha, momentet e pasigurisë, qëndrueshmërinë dhe forcën e brendshme, si dhe mësimet e çmuara që mori nga një aventurë që shtyu kufijtë e qëndrueshmërisë njerëzore.
Kryetari Qyra theksoi se Struga është krenare për Erdal Lushon, i cili me këtë arritje nuk përfaqëson vetëm veten, por edhe qytetin dhe shtetin në arenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi se Komuna e Strugës do të vazhdojë të jetë mbështetje institucionale për Erdalin në sfidat dhe ëndrrat e tij të ardhshme.
Historia e Erdal Lushos është dëshmi e fuqishme se me guxim, vizion dhe dashuri, çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Ajo na kujton se udhëtimet më të mëdha nisin nga zemra – dhe shpesh, pikërisht këtu, nga Struga.




