Reshje të dendura në Maqedoninë e Veriut: Përmbytje lokale, rrëshqitje dhe intervenime në disa rajone

Gjendja deri në ora 09:00

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje lokale, dalje lumenjsh nga shtrati dhe rrëshqitje të dheut në disa pjesë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Institucionet kompetente janë në terren dhe po ndërmarrin masa për sanimin e pasojave, ndërsa në shumicën e zonave situata po shkon drejt normalizimit.

Koçan – Shtip
Në lumin Orizarska, në fshatin Grdovci, është shënuar dalje nga shtrati. Ndërmarrja “Bregallnica” po intervenon me eskavator zinxhiror dhe mekanizimi mbetet në terren. Nga e hëna do të nisë pastrimi i shtratit të lumit nga Grdovci drejt Orizarit për të parandaluar përsëritjen e përmbytjeve. Qarkullimi në aksin Koçan–Grdovci është normalizuar, ndërsa në disa rrugë në lindje ka rrëshqitje dhe ekipet e mirëmbajtjes po i pastrojnë.

Manastir
Në lagjen Strçin po kryhet pastrimi i mbetjeve të zhavorrit dhe dheut. Në fshatin Kravari janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, pa rrezik për objektet. Përmbytje të tokave bujqësore janë raportuar edhe në Zhabeni dhe Porodin, ku po intervenohet në lumin Zhabjanska. Lumi Eleshka ka dalë nga shtrati duke përmbytur toka bujqësore, ndërsa niveli i ujit në lumenj është në rënie.

Prespë
Janë përmbytur toka bujqësore, oborre, shtëpi, objekte ndihmëse dhe magazina për ruajtjen e mollëve. Niveli i lumit Golema ka rënë nga 2.20 në 1.40 metra. Ekipet lokale dhe ndërmarrjet publike kanë kryer kontrolle dhe vlerësime në terren; gjendja është normalizuar.

Krushevë
Si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, uji i pijshëm është turbulluar dhe rekomandohet të vlohet për të paktën 10 minuta. Niveli i lumit Cërna pranë fshatit Buçin është rritur, por uji është tërhequr nga zonat ku kishte dalje nga shtrati. Ekipet po përforcojnë digat në pikat kritike.

Demir Hisar
Rruga lokale drejt fshatit Mrenoga është mbyllur për qarkullim për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Boishka. Zona po sigurohet nga shërbimet kompetente.

Prilep
Në fshatin Lazhanë është raportuar dëm te një banor nga përmbytja e oborrit dhe hapësirave përdhese, si dhe dëmtime në kulturat e duhanit. Përmbytje ka pasur edhe në Peshtalevë për shkak të kanaleve të pastruara jo rregullisht. Në të dy fshatrat është intervenuar me mekanizim për pastrimin e kanaleve.

Tetovë
Rruga drejt Banjës së Tetovës është pastruar, por qarkullimi mbetet i ndaluar për arsye sigurie me vendim të SPB Tetovë. Rrugët drejt fshatrave Gjermë dhe Brodec janë të kalueshme. Gjendja në fshatin Strimnicë, Komuna e Zhelinës, po monitorohet vazhdimisht.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit