Vjollca Duraku
Venera, një nga figurat më të fuqishme në mitologjinë antike ka qenë burim frymëzimi për kompozitoren, Sevime Gjinali, për të pagëzuar të bijën e saj me qëllim që hiret e perëndeshës së dashurisë të zbrisnin në tokë së bashku me energjinë hyjnore, që kishte marrë jetë përmes saj. Kjo dëshirë e shprehur nga thellësia e zemrës, është manifestuar në formën më të bukur përmes artistes Venera Mehmetagaj- Kajtazi, e cila përveç bukurisë kishte marrë të gjitha vyrtytet e perëndeshës, që konsiderohet si nënë themeluese e popullit romak, duke u bërë një nga themelueset e institucionit më të rëndësishëm aktual të artit muzikor, Filharmonisë së Kosovës.
Edhe tash kur mbi supe mban një përvojë 50 vjeçare, aura e flautistes Mehmetagaj- Kajtazi vazhdon shkëlqejë si një yll i ndritshëm, ashtu siç ka ndriçuar gjatë gjithë këtyre viteve në çdo interpretim, ku me virtuozitetin e saj në skena të shumta me orkestrat simfonike të Tiranës, Shkupit, Beogradit, Zagrebit, Kajros dhe Izmirit ka arritur të skalisë një karakter prej artisteje elitare. “Yll i mëngjesit” dhe “Yll i mbrëmjes” quhet ndryshe muza apo arketipi të cilit është synuar t’i ngjasonte flautistja, dhe si për qudi gjatë karrierës së saj ajo ka arritur të përjetojë ndjesinë e anëtares më të re, si 14-vjeçare në Orkestrën Simfonike të RTP, dhe atë të antares më të vjetër deri në pensionim, në Filharmoninë e Kosovës.
Ky emër i respektuar në sferën artistike ka lindur në qytetin e bukur të Prizrenit, nga Sevime Gjinali-gruaja e parë shqiptare që ka kryer akademinë e muzikës. Dhe duke qenë e bija e kompozitores së njohur, dashuria për muzikën zuri fill që në moshën 3-vjeçare, ku Venera ka filluar të interpretojë në piano, përderisa mësimet në shkollë i ka filluar në moshën 5- vjeçare. Rrugëtimi i saj muzikor mori një kthesë të papritur gjatë një koncerti që mbahej në shkollën e muzikës në Prizren, ku protagoniste pati një flautiste që interpretonte me pasion tingujt e butë, të ndjeshëm dhe elegant të instrumentit. Ky subtilitet tingujsh sikur rezonoi thellë me natyrën e saj të brendshme. Aty për aty diçka e fuqishme ishte zgjuar brenda saj, duke bërë që shumë shpejt të ndryshonte shijen e saj për instrumentin e deri tanishëm.
“Nexhmije Pagarusha, me të cilën jam rritur, më ka blerë flautën e parë. Më kujtohet që ajo pati shkuar në Gjermani me një turne dhe nëna e porositi që të ma blente një flautë pasi veq kisha filluar mësimet me këtë instrument”, ka treguar Mehmetagaj, në një takim të ngrohtë, të realizuar në njërin prej vendeve të saj të preferuara në Kryeqytet.


Profesori kroat Josip Barishiq, që atëkohë mbante mësim në Prizren për të gjitha instrumentet frymore (klarinetë, trumpetë dhe flautë) përbën një figurë që luajti rol të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, të cilin atë botë e ndiqte krahas shkollës fillore. Talenti i flautistes së shquar vërehej me faktin se programin të cilin duhej ta përfundonte për katër vjet, ajo e kaloi për dy. Ky talent i saj mori tjera përmasa kur për të zotëruar teknikën e duhur interpretative mbante orë private të mësimit në Ljublanë dhe Zagreb. Ndërsa, në takimet që organizoheshin për nxënësit e dalluar të shkollave të ulta të muzikës në Kosovë (1973-1975), Venera u dallua në nivel vendi për virtuozitetin e saj të jashtëzakonshëm.
Themelimi i Orkestrës Simfonike të RTP-së, në ato vite, i mundësoi asaj angazhimin në këtë orkestër nga mosha 14 vjeçare, ku më pas ka mbajtur edhe koncertin e saj të parë si soliste, “Vivaldi”, nën dirigjimin e Bahri Çelës. Një ftesë për të bërë incizime për RTSH, si dhe për të mbajtur koncerte në vitin 1980, hapi dyert fatit për artisten edhe në Shqipëri, ku përveç interpretimit, gjatë qëndrimit atje iu dha mundësia e artë për të mjeshtëruar zanatin te flautisti i njohur, Xhovalin Shestani. Një përvojë të tillë sipas saj të paharrueshme e ka përjetuar edhe në vitin 1981, kur Orkestra Simfonike e RTSH-së ka qenë në dispozicion të saj për një muaj, në mënyrë që t’i realizonte incizimet dhe koncertin solistik.
“Të gjitha koncertet janë të veçanta, por mund t’i veçoj dy koncerte të rralla që nuk realizohen shpesh. Mbajtja e koncerteve solistike, me program dy orësh si soliste me Orkestrën Simfonike të RTSH në vitet ‘80-’81, ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme. Kam qenë mysafire e ftuar në RTSH, dhe kam mbajtur dy koncerte me program të veprave të kompozitorëve shqiptarë. Ka qenë një peshë shumë e madhe sepse isha ende studente, dhe të jesh soliste në një formacion të tillë është mjaft sfiduese. Kisha në dispozicion komplet orkestrën simfonike për një program një dyorësh. Ishte një mbrëmje e dedikuar vetëm për mua, ku pjesë e publikut ishte edhe Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij, Helena. Ishte një sfidë shumë e madhe, një ‘kafshatë’ shumë e madhe, mirëpo edhe një kënaqësi që unë nuk e harroj”, ka thënë ajo, duke e përmendur edhe përvojën e shkëlqyer me artistët e shquar Ferdinand Dedën, Eno Koqon dhe Çesk Zadenë.

Në vitet ‘70- ’80 , institucionet e kulturës në Kosovë nuk ishin ende të konsoliduara, e megjithatë si një talente e rrallë ajo u përzgjodh për ta përfaqësuar Ish-Jugosllavinë në Havanë të Kubës. “Me këtë lloj të muzikës merreshim shumë pak nxënës. Mbaj mend që shkolla e muzikës më angazhonte ta përfaqësoj shkollën nëpër gara të ndryshme. Unë e kam përfaqësuar ish-Jugosllavinë në Kubë me një recital si flautiste e dalluar, pasi më dalluan gjatë garave të ish-Jugosllavisë. Atëherë nuk kam qenë aq e vetëdijshme që ka qenë një punë shumë e madhe që një shqiptare nga Kosova të prezantoj këtë ish-shtet të madh, pikërisht me muzikë klasike. Në Havanë të Kubës kam mbajtur dy koncerte, pastaj kam koncertuar edhe në shumë vende të Evropës”, ka thënë ajo.
Alain Marion, një flautist i përmasave botërore e kishte ftuar për të koncertuar në Francë, dhe njëkohësisht për të specializuar atje. Pas performancës së shkëlqyer, ikonës së flautës iu ofruan mundësi për të vazhduar karrierën në vendin artit, kulturës dhe modës. Por, dëshira e saj e madhe për të kontribuar në vendlindje pas gjithë kësaj përvoje të marrë në shtetet e lartë përmenduara, ishte shumë më e madhe se sa të gjitha të mirat që mund t’i gëzonte në Paris, si një vend me traditë edhe në lëminë e muzikës. Ky specializim në Francë edhe te profesori i shquar, Pierre Yeves Artaud, duket se nuk i mjaftoi instrumentistes ambicioze. Pas vendimit për tu kthyer dhe për të vazhduar misionin e saj si instrumentiste dhe pedagoge në Kosovë, ajo vendos të studioj në nivelin master, në Shkup, te profesori Nikola Atanasov.
“Te artistët me rëndësi është suksesi dhe kulmi i arritjes, megjithëse kulm nuk ka. Unë jam e kënaqur me aq sa kam arritur, sepse nuk kam synuar shumë. Por, paraqitja me orkestra të ndryshme botërore si soliste është një gjë e rrallë. Mua më kanë ftuar Orkestra Simfonike e Izmirit në Turqi, Orkestra Simfonike e Zagrebit, po ashtu e Kajro-s me dy koncerte, ku u prezantuam bashkë me shoqen time Ines, me të cilën kemi studiuar bashkë në Francë. Kam koncertuar edhe me Orkestrën Simfonike të Shkupit, Beogradit dhe Nishit etj. Kështu që unë mburrem me këto koncerte. Janë të rëndësishme sepse të jesh soliste me një orkestër botërore është e rrallë, ngase nuk pranon secila orkestër. Nuk është punë qejfi, por të ftojnë sipas kualiteteve që i posedon, sipas incizimeve që të kanë dëgjuar”.


Të mësuarit e notave përmendësh, ka qenë një teknikë me të cilën është dalluar interpretimi i saj edhe në veprat më sfiduese. Timbri i veçantë i flautit, i ngjajshëm e cicërimën e zogjve të “Bylbylderit” në Prizren (vend i ngjajshëm me Gërminë, që gjendej prapa shtëpisë së saj) e bën artisten që me mendje të fluturojë në habitatin e saj artistik, dhe të emetojë një gjuhë të veçantë tingujsh si rrallë kush tjetër në rajon.
“Flauti e ka timbrin e veçantë, mua më pëlqen është si imitim i zogjëve. Unë kur ushtroj shpesh i dëgjoj edhe zogjt, tash zogjt me siguri më dëgjojnë mua dhe reagojnë, ose mua më duket ashtu. Timbri i tij më pëlqen shumë, më duket instrument femëror, edhe pse flautistët më të njohur në botë janë meshkuj. Mirëpo për mua është një instrument femëror, është subtil dhe i sofistikuar. Në Prizren, prapa shtëpisë time ka pasur shumë zogj, dhe aty ku ushtroja i dëgjoja zogjt. Ndoshta ai ambient më ka krijuar. Prizreni normalisht ka ndikuar që të bëhem kjo që jam sot”, ka thënë ajo, përderisa ka treguar edhe formën e saj të preferuar të interpretimit në skenë.
“Unë jam mësuar si soliste sepse tërë kohën i kam luajtur përmendsh edhe veprat më të vështira, të cilat sot nuk luhen përmendësh. Është përgjegjësi. Por, po ashtu përgjegjësi është edhe interpretimi në orkestër sepse flauta e ka vijën e saj melodike. Nuk është e lehtë asnjëherë. Edhe pse jam një artiste me përvojë, të gjitha koncertet i kam marrë me përkushtim dhe me përgjegjësi shumë të madhe, pasi që nuk doja të dështoja asnjëherë. Varet edhe çfarë qasje ke, por zakonisht të gjithë instrumentistët e institucionit e kanë qasjen e njejtë, për këtë arsye koncertet e Filharmonisë janë të suksesshme. Por, si soliste normalisht ndihem më mirë sepse unë jam kryesorja në koncert” ka thënë Mehmetagaj-Kajtazi.
Si kulm të karrierës së saj ajo e cilëson interpretimin e një Koncerti për Solo Flautë dhe Orkestër, gjë që ia kishte vënë vetes si synim që nga shkolla e ultë e muzikës, koha kur ajo triumfoi në një garë muzicientësh dhe si shpërblim iu dha një pllakë gramafoni me veprën e kompozitorit Johann Jochaim Quantz, të cilin e adhuronte. Në mungesë të platformave digjitale që ekzistojnë sot, një pllakë gramafoni ka qenë forma e vetme dhe ideale në atë kohë, për të zgjeruar njohuritë në botën shumëdimensionale të muzikës klasike.
“Në bazë të asaj pllake, duke dëgjuar me vesh, e luaja këtë koncert në shtëpi. I kisha vënë vetes një synim: Në ditën kur të arrija të interpretoj këtë koncert pa orkestër, do ta lija flautën. Për mua kulminacioni do të ishte të interpretoja në ndonjë qytet të madh të ish-Jugosllavisë, si Zagrebi apo Ljubljana. Këtë unë e arrita dhe ai koncert më ka mbetur në zemër. E kam luajtur shumë herë, me orkestra të ndryshme, por ajo ka qenë pikënisja ime, motivi që më shtyu të vazhdoj dhe të arrij qëllimin tim për të luajtur këtë vepër. Pastaj janë mbajtur koncerte të shumta. Një artist gjithmonë e ka një pikënisje, e ka një qëllim të caktuar. Unë atë koncert e kam ëndërruar si fëmjë dhe i thosha vetes që do të ushtroj vetëm të arrij ta luaj atë koncert”.


Por, përveq talentit ajo është dalluar edhe për bukurinë e saj krejtësisht natyrale, që e bënte të rrezatoj elegancë dhe klas sa herë që prezantohej para publikut, të cilit ia dedikoi mbi pesë dekada jetë. Madje, në njërin prej prezantimeve të saj, Venera mori një prej komplimenteve më me peshë prej mijëra të tillëve që i kishte pranuar ndër vite. Mbretëresha e muzikës, Nexhmije Pagarusha, e pati komplimentuar krejt natyrshëm për paraqitjen dhe mjeshtërinë e saj interpretuese pa e ditur se ky moment do të gdhendej përgjithmonë në kujtesën e artistes ikonike, si një prej momenteve që i ëmbëlsojnë shpirtin sa herë që kjo ngjarje i shpaloset vetëdijshëm ose jo në makinën e memories. Një kujtim i tillë natyrisht ngjallë edhe nostalgji për këtë personalitet të veçantë skenik.
“E di që Nexhi më ka kushtuar vëmendje se çka kam veshur, si i kam pasur flokët. Edhe kjo iu ka lënë përshtypje njerëzve. Kujtoj që në një rast kam thënë me shaka që derisa të më analizojnë fustanin, unë e përfundoj koncertin”, si mënyrë për të menaxhuar emocionet, të cilat krahas pjekurisë dita ditës shtoheshin edhe më shumë si pjesë e përgjegjësisë skenike. Me një modesti që e karakterizon personalitetin e saj, Venera mundohet që vëmendjen që e përthithë nga rrezatimi i saj solar t’ia atribuoj rolit që instrumenti i flautit ka në orkestër. “Kur interpreton vazhdimisht, ndodh që vihesh re. Flauti në okestër ka shumë pjesë solo, ndryshe nga violina që të gjitha instrumentet luhen në një vijë. Flauti dallohet. Kur flauti interpreton solo, automatikisht të kthehet shikimi nga ajo që dëgjon, prandaj edhe jam vënë re”.
Përveç Pagarushës, flautistja ka pasur privilegjin që t’i ketë bashkëpunëtorë dhe t’i njohë nga afër edhe figura të tjera të papërsëritshme si Jusuf Gërvallën, Shpresa Gashin, Adem Demaqin, Vaqe Zelën etj. Nga këto miqësi ajo veçon raportin me kolosin e kombit Jusuf Gërvalla, i cili ka pasur kritika në superlativ për artisten, qysh nga fillimi i karrierës. Kurse, inkuadrimi në ansamblin “Eutherpa” për të ka qenë një përvojë e papërsëritshme, e cila e ka plotësuar me elemente artistike, duke e bërë një personalitet çfarë është sot.
“Vajza e tij ka preferuar që të studioj kitarë, ndërsa Jusufi i ka thënë jo, t’i duhet të studiosh flautë sikurse Venera. Dhe vajza e tij e ka studiuar flautën. Ai më ka dashur shumë, ka ardhur në koncerte, ka qenë një njeri me një kulturë shumë të gjerë, ka qenë gazetar, shkrimtar, ka kënduar. Ai ka shkruar edhe kritika për mua. Kritikat e Jusufit kanë qenë në superlativ. I kam disa gazeta. Shkruante për një flautiste në ngritje, se në të ardhmen do të kemi një flautiste shumë të mirë. Madje, kur e themeloi ansamblin “Eutherpa”, mua më mori si antare të ansamblit, kjo për mua ishte kënaqësi e jashtëzakonshme sepse ishte muzikë e lehtë dhe kjo gjë më pëlqente shumë. Fatkeqsisht, kur ai iku në Gjermani ia zhdukën edhe incizimet. Megjithatë, i kam disa nga incizimet që i kam incizuar në radio”.

Një peridhë sfiduese, si për të gjithë shqiptarët ka qënë periudha 1990-1999. Në atë kohë, ajo kishte ligjëruar në shtëpi private vetëm për të mos e ndërprerë mësimdhënien, sepse me këtë do të ndërpritej dhe krijimi i kuadrove të reja profesionale. Ajo kujton kohën kur pushteti i atëhershëm qëllimisht nga të gjitha institucionet të parin e kishte shkatërruar Orkestrën Simfonike të RadioPrishtinës, vetëm për të shkatërruar jetën kulturore të vendit. “Për këtë arsye duhet të dihet rëndësia e këtyre institucioneve. Është shumë me rëndësi për një shtet, jo vetëm për artistët që merren me këtë punë. Një shtet identifikohet nëse ka operë, filharmoni etj”.

Me gjithë shkëlqimin e saj skenik, flautistja jonë e shquar nuk ka pasur fatin që gjatë karrierës së saj të bujshme të interpretojë në një sallë me kushte dinjitoze. Ajo e ka filluar karrierën në Atelienë e Pallatit të Rinisë, dhe aty e ka përfunduar me pensionimin e saj, në Janar të vitit 2025, ku Filharmonia ia kishte dedikuar një koncert të veçantë duke i sjellë mikun e saj, flautistin e njohur në botë, Andrea Grimnellin. Por, përkundër këtij fakti ajo ndjehet shumë e lumtur me punën e saj, pasi rreth 99 % e flautistëve nëpër Kosovë janë studentë të saj, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit në shtatë shkollat e muzikës në qytetet e Kosovës.
“Ndiej kënaqësi që unë kam arritur të krijoj disa gjenerata artistësh, madje një plejadë e madhe e flautistëve të jenë profesorë të mirë. Unë e vërej që studentët në provime pranuese prej shkollave të mesme më vijnë jashtëzakonisht të përgatitur, dhe e di që puna është bërë ashtu si duhet. Kushdo që i dëgjon studentët e mi, ndihen të kënaqur nga niveli interpretativ. Ata gjithmonë shpallen fitues të garave ndërkombëtare, ngase nuk dallon niveli i tyre prej nivelit evropian. Studentët kanë pasur mundësi të dëgjohen edhe nga profesorët e mi të Francës, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur me interpretimin e tyre”.
Venera Mehmetagaj- Kajtazi me pasionin, vullnetin dhe stilin e saj unik ndër vite ka qenë inspirim për studentët e saj dhe shumë adhurues të muzikës klasike.
“Shumica e studentëve të mi, flautën e kanë zgjedhur duke më pasur mua model. Ndoshta ata janë shumë të rinj por shumica, mos të them të gjithë më thonë që nënat apo gjyshet më kanë përcjellë dhe kanë pasur dëshirë që edhe ata të jenë një ditë flautistë. Ata e kanë pasur një model për tu bërë flautistë, sepse unë kam qenë prej instrumentistëve të parë. Kështu që ata tash e dijnë qëllimin e tyre. E dijnë çka duan. Për shembull në FSK, në bandën frymore janë ish-studentët e mij, nëpër shkolla- janë profesorët, në Filharmoni- instrumentistët. Kur ata vijnë në studime e kanë një qëllim, që të koncertojnë ose të bëhen profesora të ardhshëm. Janë të gjithë të mirë, dhe po e gjejnë veten të gjithë shumë mirë sepse janë kualitet dhe janë të kërkuar”.

Sipas saj, ideale do të ishte që tash me krijimin e kuadrove të mjaftueshme secili qytet të themelonte orkestrën e vet. Artistja është shprehur optimiste sa i përketë kësaj qështjeje pasi tashmë brezi i saj ka arritur të krijojë instrumentistë të jashtëzakonshëm, me të gjitha instrumentet që e përbëjnë një orkestër. Realizimi i kësaj nisme do të sjellte koncerte jashtëzakonisht të bukura dhe emocionuese me vepra të kompozitorëve vendor dhe botëror për qytetarët e secilit rajon.
Në sytë e publikut ajo ende shihet si një artiste e papërsëritshme, pasi sivjet me pensionimin e saj asnjë student nuk ka aplikuar për të studiuar instrumentin e flautit në Fakultetin e Arteve, duke e ditur që ajo nuk do të ligjëronte më. Në fakt, fakulteti edhe për një vit ia ka mundësuar që të vazhdojë aktivitetin e saj aq shumë të dëshiruar. Megjithatë, mbetet të shihet nëse shteti i Kosovës do të dijë të “shfrytëzojë” këtë pasuri të rrallë artistike, për të krijuar artistë dhe profesionistë edhe më të suksesshëm, tash kur gjendet në top formë, e liruar nga angazhimet tjera dhe me tërë këtë pjekuri artistike.
Venera Mehmetagaj- Kajtazi, në fund të kësaj interviste ka dhënë mesazhin se fëmijët duhet të orientohen në shkolla të muzikës, pasi kjo gjë sipas saj ndikon që ata të rriten me një kulturë më të gjerë për jetën në përgjithësi.
“Do të ishte mirë që secili fëmijë të orientohet në shkolla të muzikës, së paku si hobi ta ketë, nuk është e thënë që ata të bëhen profesionistë. Nuk do të thotë se, nëse ai fillon të mësojë një instrument, duhet që patjetër të përfundoj si profesionist, mirëpo kjo përbën një kulturë të përgjithshme. Fëmijët që shkojnë nëpër shkolla të muzikës, edhe nëse nuk merren më vonë profesionalisht me muzikë, ata të nesërmen do të bëhen pjesë e një publiku profesional kur të dëgjojnë një orkestër ose një solist. Unë e përkrah secilën familje që fëmijët t’i regjistrojnë në shkolla të muzikës. Është një kulturë e përgjithshme. Të interpretuarit e muzikës të ndihmon edhe në aspektin psikologjik. Kështu që nuk ka asnjë aspekt negativ, ka vetëm përfitime të mëdha”. / KultPlus.com






