Kryeministri, Hristijan Mickoski deklaroi sot se arsimi do të jetë një nga prioritetet kryesore për këtë vit dhe se nëse duam të jemi në mijëshen më të mirë në Listën e Shangait të universiteteve, duhet të rritet numri i punimeve shkencore dhe kërkimore.
“Pa arsim cilësor dhe pa shkencë cilësore, nuk mund të forcohemi as si komb dhe as si shtet. Dhe në emër të kësaj, po i rrisim fondet për mbështetjen e projekteve shkencore dhe kërkimore. Nëse filluam me një gjendje prej 340 milionë denarësh në vitin 2023, në vitin 2024 dhe 2025 iu afruam pikës prej 680 milionë denarësh, kështu që tani për vitin e ardhshëm kemi mbi 770 milionë denarë pikërisht për këtë gjë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske gjatë një vizite në Koçan.
Sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme, por është shumë më tepër se situata që e kanë gjetur.
“Pres që në vitet që vijnë dhe me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, kolegët e mi që duan të ndërtojnë një karrierë akademike do të duhet të shkruajnë pak më shumë punime kërkimore shkencore që do të botohen në revista me faktor ndikimi dhe që do të jenë pjesë e bazës së të dhënave Tomson Rojters. Ne kemi kryer një analizë që na çon në përfundimin se nëse duam të kemi një universitet që do të jetë në mijëshen e parë në Listën e Shangait, duhet midis tetë dhe dhjetë herë të rrisim numrin e punimeve shkencore që ne, si shtet dhe universitetet, duhet të botojmë në revista shkencore me faktor ndikimi, të cilat janë pjesë e bazës së të dhënave Tomson Rojters ose e njohur si Ueb of sajens”, theksoi Mickoski.
Kryeministri theksoi se me rritjet e fundit, pagat e profesorëve të rregullt, profesorëve me korrespondencë, docentëve dhe asistentëve janë mjaft të mira dhe se tani duhet t’i përkushtohemi shkencës.



