Mickoski: Rritje lineare e pensioneve në prill 2026, ulje e varfërisë dhe pabarazisë

Gjatë vizitës së sotme pune në komunën e Kavadarcit, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, u ndal tek rritja e pensioneve në periudhën e ardhshme.

“Do të ketë përsëri rritje lineare të pensioneve për pensionistët në prill, për pensionin e muajit mars. Vazhdojmë me këtë politikë. Parametrat më të fundit statistikore të lëshuara nga Instituti Shtetëror i Statistikave për nivelin e varfërisë dhe ‘koeficientin Gini’, vetëm e justifikojnë më tej politikën e Qeverisë për rritjen lineare të pensioneve, fillimisht për 2.500 denarë që ndodhi në nëntor për pensionin e tetorit 2024, pastaj 2.500 denarë shtesë në prill për pensionin e marsit, dhe 1.000 denarë shtesë rritje lineare në nëntor për pensionin e tetorit 2025. Kështu do të jetë edhe tani në prill për pensionin e marsit 2026,” ishte i prerë Mickoski.

Ai theksoi se me këtë synohet ulja e shkallës së varfërisë tek kjo grup-mosha e qytetarëve, dhe me këtë të ulet edhe “koeficienti Gini” që tregon pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave tek grupet e ndryshme të qytetarëve.

“Në këtë drejtim po ecim mirë, sa i përket ‘koeficientit Gini’ jemi më të mirët në rajon dhe mbi mesataren evropiane, dhe lufta kundër varfërisë është një nga qëllimet kryesore të kësaj Qeverie dhe do të vazhdojmë të ecim edhe më tej në këtë drejtim,” tha kryeministri Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit