Miliona njerëz në botë në sheshet e qyteteve të tyre, në qendrat turistike, në kafene, restonare, bare ose atmosferë familjare në shtëpi do ta përcjellin vitin 2025 dhe do ta presin Vitin e Ri 2026.

Vitin e Ri të parët do ta presin banorët e shtetit ishullor të paqësorit, Kiribati (në orën 11 sipas kohës së Maqedonisë), ndërsa në 2026-tën të fundit do të hyjnë Samoa amerikane dhe ishujt Bejker dhe Haulend (më 1 janar në orën 13 sipas kohës së Maqedonisë).
Kjo do të thotë se Viti i Ri “udhëton” për 26 orë nga vendi i parë te vendi i fundit në Tokë.

Festime për pritjen e Vitit të Ri do të organizohen në Shkup dhe në qytete të tjera nëpër vend. Programi muzikor në kryeqytet gjatë mbrëmjes do të jetë me këngëtarë nga Maqedonia.

Programi festiv “Përrallë dimërore e Vitit të Ri” në Shkup, sot do të zgjasë gjatë gjithë ditës, ndërsa do të kulmojë në mbrëmje në sheshin “Maqedonia”.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski i ftoi qytetarët e Shkupit në sheshin “Maqedonia” për, siç thotë ai, një pritje të paharrueshme të Vitit të Ri 2026, një natë që përsëri do të bashkojë qytetin, duke theksuar se me këngëtarë vendas, të dashur nga publiku, kanë krijuar “një program që lidh të gjitha gjeneratat”.

“Programi fillon në orën 19:45 me vokalin e fuqishëm të Mile Kuzmanovskit, dhe vazhdon me Ognen Zdravkovskin. Më pas vijojnë Dina Jashari, legjendat Kuku Lele dhe e papërsëritshmja Tamara Todevska. Kulminacionin e sjellin të preferuarit e publikut të ri, Pajak, Lara dhe Dva Bona, ndërsa momenti magjik i pritjes së Vitit të Ri do të shënohet me performancën e Karolina Goçevës”, njoftoi Gjorgjievski në ftesën për festën e natës së Vitit të Ri në Shkup.
Foto: MIA




