Disa organizata ndërkombëtare humanitare, përfshirë Mjekët pa Kufij (MSF), rrezikojnë të pezullojnë aktivitetin e tyre në Gaza duke filluar nga e enjtja, për shkak të mosrespektimit të kufizimeve të reja të vendosura nga Izraeli për grupet e ndihmës që veprojnë në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Izraeli njoftoi të martën se do të pezullojë operacionet e organizatave ndërkombëtare që nuk kanë rinovuar regjistrimin e tyre, një proces që përfshin kërkesën për dorëzimin e të dhënave personale të stafit që punon në Gaza. Agjencitë humanitare kanë shprehur shqetësime serioze për sigurinë e punonjësve të tyre dhe kanë kundërshtuar këto kërkesa.
Sipas ‘CNN’, vendimi vjen në një kohë kur 10 vende perëndimore paralajmëruan për një “përkeqësim të ri” të situatës humanitare në Gaza, duke e përshkruar atë si “katastrofike”. Enklava po përballet me një dimër të ashpër, me reshje të dendura shiu dhe temperatura të ulëta që po përkeqësojnë kushtet tashmë të rënda të jetesës.
Sipas Zyrës Qeveritare të Medias në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta kanë shkatërruar qindra tenda të improvizuara, ndërsa të paktën 20 persona kanë humbur jetën nga shembja e ndërtesave dhe shtëpive teksa kërkonin strehim.
Ministrat e jashtëm të Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Finlandës, Francës, Islandës, Japonisë, Norvegjisë, Suedisë dhe Zvicrës bënë thirrje për veprime urgjente, duke kërkuar që organizatat humanitare ndërkombëtare të lejohen të vazhdojnë punën e tyre dhe që Izraeli të hapë kalimet kufitare për të rritur fluksin e ndihmës.
Grupet e ndihmës paralajmërojnë se pezullimi i operacioneve të më shumë se dy duzinë organizatave do të kishte pasoja fatale. Refugees International tha se largimi i tyre “do të thellojë ekspozimin, sëmundjet dhe vdekjet e parandalueshme”.
Izraeli argumenton se rregullat e reja synojnë të parandalojnë Hamasin nga shfrytëzimi i ndihmës ndërkombëtare, një pretendim që OKB-ja dhe organizatat humanitare e kanë hedhur poshtë. Një shqyrtim i qeverisë amerikane më herët këtë vit nuk gjeti prova për vjedhje të përhapura të ndihmës nga Hamasi.
Agjencia izraelite COGAT deklaroi se MSF ka refuzuar të bashkëpunojë me procesin e regjistrimit, duke mos dorëzuar listën e stafit, siç kërkohet nga një vendim qeveritar. MSF ka paralajmëruar se humbja e aksesit në Gaza do të ishte “katastrofike”, duke theksuar se aktivitetet e saj mbështesin gati gjysmë milioni njerëz.
Ndërkohë, COGAT këmbëngul se pezullimi i disa organizatave nuk do të ndikojë në vëllimin e ndihmës, duke deklaruar se rreth 4,200 kamionë ndihme do të vazhdojnë të hyjnë çdo javë në Gaza përmes OKB-së dhe organizatave të regjistruara.
Megjithatë, mbi 40 organizata ndërkombëtare, përfshirë MSF dhe Oxfam, kanë akuzuar Izraelin për refuzime arbitrare të dërgesave jetike që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
Kriza humanitare po përkeqësohet më tej nga moti ekstrem. Mbrojtja civile e Gazës njoftoi se gjatë fundjavës dy persona, përfshirë një fëmijë 7-vjeçar, humbën jetën nga shembja e një muri për shkak të kushteve të ftohta.
Deklarata e përbashkët e 10 vendeve u hodh poshtë nga Ministria e Jashtme e Izraelit, e cila e cilësoi atë “të rreme dhe të njëanshme”, duke theksuar se çarmatosja e Hamasit mbetet, sipas saj, parakusht për sigurinë rajonale.
Këto zhvillime vijnë ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku ka zhvilluar takime me presidentin amerikan Donald Trump. Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se një qeveri e re në Gaza është e mundur vetëm pas çarmatosjes së Hamasit, një kërkesë që grupi palestinez e ka refuzuar kategorikisht.



