Vitin e kaluar, në vend u mblodhën gjithsej 637,471 ton mbeturina komunale, që është një rritje krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa vlerësimet për totalin e krijuar të mbeturinave komunale janë 790,866 ton, që është një rënie krahasuar me vitet e kaluara. E gjithë sasia e mbeturinave komunale të mbledhura hidhet në deponi.
Çdo banor vitin e kaluar krijoi mesatarisht 438 kilogramë mbeturina komunale, që është një ulje krahasuar me vitin 2023, kur çdo banor krijoi mesatarisht 503 kilogramë mbeturina komunale, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës.
Mbeturinat komunale janë mbeturina që mblidhen ose përpunohen nga ose për komunat. Ato përfshijnë mbeturinat nga amvisëritë, duke përfshirë mbeturinat masive, mbeturina të ngjashme nga aktivitetet komerciale dhe tregtare, ndërtesat administrative, institucionet dhe bizneset e vogla, mbeturinat nga oborret dhe kopshtet, mbeturinat e rrugëve, përmbajtjen e kontejnerëve të mbeturinave dhe mbeturinat nga pastrimi i tregjeve. Përkufizimi përjashton mbeturinat nga rrjetet komunale të kanalizimeve, si dhe mbeturinat nga ndërtimi dhe shkatërrimi i ndërtesave.
Të dhënat nga trajtuesit kolektivë që kanë dorëzuar raporte në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se 65 për qind e sasisë totale të mbeturinave nga ambalazhet e lëshuara në tregun e brendshëm u ricikluan, që do të thotë se nga 80.575 ton mbeturina ambalazhesh të lëshuara në treg, u ricikluan 52.605 ton. Sipas kategorive, vitin e kaluar mbeturinat nga ambalazhet prej letre dhe kartoni të lëshuara në treg u ricikluan plotësisht dhe më shumë (105 për qind), pasuar nga mbeturinat nga metali (80 për qind), qelqi (54,6 për qind), plastika (38, 9 për qind) dhe druri (38,8 për qind). Në shifra absolute, më së shumti u ricikluan mbeturinat nga letra dhe kartoni (29.614 ton), pastaj plastika (8.979 ton), qelqi (7.570 ton), druri (3.416 ton) dhe metali (3.026 ton).
Shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit në vitin 2024 arritën 10.503.523.000 denarë ose 169,4 milionë euro, ndërsa nga taksat lidhur me mjedisin në vitin 2023 u mblodhën 12.198.700.000 denarë ose 196,7 milionë euro.



