“Vllaznimi Soccer Tournament” 16 vjet histori, unitet dhe sport në Amerikë

Për të 16-in vit radhazi, më 25 dhjetor, turneu tradicional “Vllaznimi Soccer Tournament”, nën organizimin e QKSHA–Struga, e ktheu kompleksin sportiv Turf City në Wayne, New Jersey, në zemrën e sportit dhe unitetit të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edicioni i sivjetëm, që konsiderohet organizimi më i madh sportiv i diasporës shqiptare në botë, mblodhi 24 skuadra me nga 10 futbollistë, duke krijuar një garë të fortë, dinamike dhe plot emocione, të ndjekur nga mijëra shikues në sallë dhe përmes rrjeteve sociale.

Turneu u hap në mënyrë solemne në orën 09:00, me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij amerikan, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajtën kryetari i QKSHA–Struga, Sinan Alimi, dhe përgjegjësi i turneut, Lirim Kaba.

Më pas nisi maratona sportive me gjithsej 36 ndeshje, të zhvilluara paralelisht në dy fusha.


Një organizim shembullor, i udhëhequr nga Lirim Kaba, Edip Ramadani dhe Kalosh Sela, siguroi mbarëvajtjen e turneut në çdo detaj – nga parkimi për mbi 450 automjete, deri te mikpritja dhe atmosfera festive brenda sallës.

Skuadra nikoqire Vllaznimi e hapi turneun përballë ekipit të Lushnjës, ndërsa gjatë ditës u përballën skuadra nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva dhe diaspora shqiptare nga vende të ndryshme të botës.

 

Krahas futbollit cilësor, pjesë e atmosferës ishin edhe ushqimet tradicionale shqiptare, të ofruara këtë vit nga “Nona’s Pizza”.
Pas fazës së parë, 16 skuadra avancuan në fazën eliminatore.

 

Para rifillimit të ndeshjeve, salla u gjallërua nga performanca artistike me këngë dhe valle tradicionale, duke dëshmuar se “Vllaznimi” është më shumë se sport – është identitet dhe bashkim.

Ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale sollën duele mjaft interesante, ndërsa finalja u zhvillua mes Ulqinit dhe FC Rinisë. Në një përballje të fortë dhe pa kompromis, përvoja dhe qetësia e skuadrës së Ulqinit bënë diferencën. Me fitore 3–0, Ulqini u shpall kampion i edicionit të 16-të të “Vllaznimi Soccer Tournament”.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë edhe çmimet kryesore:
Portieri më i mirë: Xhiani Nrecaj (FC Rinia) – çmimi nga Izmir Alla
Lojtari më i mirë: Klajd Nucaj (FC Ulqini) – çmimi nga Ajri Hoxha
Nënkampioni: FC Rinia – kupa nga Fatmir Mimin
Kampioni: FC Ulqini – trofeu dhe çeku prej 1,500 dollarësh, dorëzuar nga Lirim Kaba
Përtej rezultateve sportive, fitues i madh i këtij edicioni ishte edhe stafi organizativ, i cili me punë vullnetare dhe përkushtim shumëmujor, vazhdon të mbajë gjallë traditën, unitetin dhe frymën shqiptare në diasporë.
Organizatorët falënderojnë të gjithë aktivistët, sponsorët, spektatorët dhe 24 skuadrat pjesëmarrëse, ndërsa paralajmërojnë se së shpejti do të publikohet edhe video-reportazhi me momentet më të bukura të turneut, finalen, ndarjen e çmimeve dhe intervista ekskluzive.
Mirupafshim në edicionin e ardhshëm të “Vllaznimi Soccer Tournament”! ⚽🇦🇱

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit