Intervistë, portret mbi lidershipin femëror, decentralizimin dhe integritetin profesional
Ardita Dema Mehmeti, magjistre e shkencave ekonomike, aktualisht Zëvendësdrejtoreshë Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) në Maqedoninë e Veriut, është një nga figurat institucionale që përfaqëson një model lidershipi të qartë, të qëndrueshëm dhe të bazuar në integritet. Si grua shqiptare në një mjedis tradicional dhe kryesisht mashkullor, ajo flet për përgjegjësinë që shkon përtej titullit profesional, për sfidat reale të pushtetit lokal dhe për domosdoshmërinë e reformave strukturore që qytetarët t’i ndiejnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

Një rol që kërkon më shumë se kompetencë
Ardita Dema Mehmeti e përjeton pozitën e saj jo thjesht si funksion administrativ, por si një angazhim që kërkon dëshmi të vazhdueshme të profesionalizmit. Ajo thekson se për një grua, e sidomos për një grua shqiptare në strukturat institucionale, rruga drejt besueshmërisë është shpesh më e gjatë dhe më e vështirë.
“Për një grua nuk ka asgjë të lehtë, e sidomos kur duhet të dëshmohet dy herë, njëherë si grua në pozitë dhe pastaj edhe si grua shqiptare.”
Kjo sfidë, sipas saj, nuk e ka demotivuar, por e ka shtyrë të japë më shumë nga vetja, të punojë me përpikëri dhe përgjegjësi, duke e parë korrektësinë si bazë të qetësisë profesionale dhe të besimit në punën e bërë.
Përfaqësimi i grave dhe realiteti i pushtetit lokal
Duke folur për ndikimin e identitetit gjinor në ndërtimin e autoritetit profesional, Ardita Dema Mehmeti vë në pah përfaqësimin e ulët të grave në pushtetin lokal, veçanërisht në pozitat udhëheqëse. Ajo kujton se në zgjedhjet e fundit lokale nuk pati asnjë kandidate shqiptare për kryetare komune, një fakt që sipas saj flet qartë për barrierat strukturore dhe kulturore.
“Kryesisht femrave nuk u besohen pozita të larta udhëheqëse; atyre u jepen role dytësore, edhe pse janë pikërisht ato që e kryejnë punën me përpikëri dhe përgjegjësi.”
Në këtë kontekst, ajo thekson se gratë duhet të krijojnë “imunitet” ndaj paragjykimeve, të ruajnë dinjitetin profesional dhe të flasin me rezultate konkrete – sepse pikërisht rezultatet mbeten argumenti më i fortë në një mjedis ku barazia nuk është e mirëqenë.

Komunat mes mungesës së mjeteve dhe nevojës për decentralizim real
Një pjesë thelbësore e intervistës i kushtohet gjendjes financiare të komunave në Maqedoninë e Veriut. Ardita Dema Mehmeti shpjegon se komunat kanë të ardhura vetanake të ulëta dhe mbeten shumë të varura nga buxheti qendror, çka kufizon investimet kapitale dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ajo e përshkruan decentralizimin aktual më shumë si dekoncentrim të mjeteve për paga dhe mirëmbajtje, sesa si decentralizim funksional dhe fiskal të mirëfilltë. Në këtë kontekst, BNJVL ka fokus lobimin dhe avokimin për reforma strukturore, ngritjen e kapaciteteve të resurseve njerëzore në komuna dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
“Pa stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare të komunave, është e pamundur të flasim për zhvillim real dhe shërbime cilësore për qytetarët.”
Ajo veçon digjitalizimin si një nga mjetet më efikase për rritjen e transparencës, përmirësimin e komunikimit dhe racionalizimin e kostove në administratën lokale.
Integriteti si busull profesionale
Kur flet për parimet që e udhëheqin në punë, Ardita Dema Mehmeti thekson se integriteti dhe dinjiteti personal nuk janë të negociueshme. Ajo beson se edhe komunikimi i të vërtetave të vështira, kur bëhet me sinqeritet dhe profesionalizëm, ndërton besim afatgjatë dhe kulturë të shëndoshë institucionale.
“Ruajtja e integritetit dhe dinjitetit personal nuk ka kompromis.”
Dema Mehmeti e lidh këtë parim me konceptin e udhëheqjes me shembull, duke nënvizuar se përgjegjësia fillon nga vetja – si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë familjare.




