Në frymën e humanizmit, ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, realizoi një vizitë në Qendrën për fëmijë nga spektri i autik dhe fëmijë me zhvillim atipik. Kjo vizitë vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për mbështetjen e iniciativave gjithëpërfshirëse dhe përkujdesjen ndaj kategorive më të ndjeshme të komunitetit.
Gjatë takimit, kryetari Qyra përcolli një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe inkurajimi, duke theksuar se këta fëmijë dhe familjet e tyre nuk janë dhe nuk do të mbeten kurrë vetëm. Përmes dhuratave dhe mbështetjes konkrete, ai solli jo vetëm ndihmë materiale, por edhe shpresë, buzëqeshje dhe ngrohtësi njerëzore.
Në fjalën e tij, kryetari riafirmoi gatishmërinë e Komunës së Strugës për të qëndruar edhe në të ardhmen pranë këtyre qendrave, duke fuqizuar politikat e përfshirjes, kujdesit dhe mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre.




