Mickoski bën thirrje për lindjen e sa më shumë fëmijëve: Rënia e numrit të foshnjave përbën alarm serioz

Rënia e lindshmërisë po shndërrohet në një nga sfidat më serioze të vendit. Kryeministri Hristijan Mickoski, ngre alarmin duke theksuar se vetëm nga viti 2016 deri në 2024-tën, statistikat tregojnë për rreth 6 mijë foshnje më pak të lindura. Mickoski nënvizoi se nëse këto shifra përkthehen në klasa me nga 20 nxënës, deri më tani kemi 300 klasa boshe.

“Prej vitit 2016, deri në 2024, kemi për 6 mijë më pak foshnje të lindura. Nëse është nxënës nga 20 nxënës, kjo nënkupton 300 klasa të zbrazëta kemi deri më tani. Nëse një klasë është e gjatë 20 metra, kemi 6 kilometra klasa të zbrazëta. Kështu duket zhdukja e një kombi. Nëse për dikë kjo nuk është e qartë, unë do të doja përmes numrave ta them, sa do që të kritikohem, unë do të vazhdoj ta them këtë, sepse për kot bëjmë çerdhe, shkolla, kënd lojërash, edhe rrugë, bulevarde, autostrada, dhe gjithçka, nëse nuk ka kush t’i shfrytëzojë ato. Prandaj porosia ime për të rinjtë është, që dashuria ndaj atdheut manifestohet, me atë që vendosim të krijojmë familje dhe të realizohemi si prindër”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Derisa Mickoski bëri thirrje që prindërit të lindin sa më shumë fëmijë, statistikat flasin se familjet me shumë fëmijë në Maqedoninë e Veriut, janë nën kufirin e varfërisë.

“Situatë të tillë ka gjithandej në botë, nuk është kështu veçanërisht tek ne në Maqedoni, por ne si qeveri punojmë që ta përmirësojmë gjendjen te familjet që kanë shumë fëmijë dhe absolutisht, një pjesë të atyre programeve tashmë fillojmë t’i zbatojmë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të ketë edhe programe të tjera që do të zbatohen në këtë drejtim. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit