Kompania TITAN Usje ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat se është shkaktare e ndotjes së ajrit në Shkup, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe pa mbështetje shkencore.
Sipas reagimit zyrtar, kompania punon me teknologji moderne në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe nuk ka asnjë tejkalim të limiteve ligjore të emetimeve. TITAN Usje thekson se cilësia e ajrit në Shkup ndikohet kryesisht nga kushtet meteorologjike, ngrohja e objekteve, trafiku dhe aktivitetet ndërtimore, ndërsa ndikimi i industrisë është dukshëm më i vogël.
Kjo, sipas kompanisë, konfirmohet edhe nga kontrollet e vazhdueshme të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, përfshirë edhe inspektime të papritura, ku është konstatuar se të gjitha vlerat janë brenda kufijve të lejuar.
“Kur furrat tona nuk punojnë gjatë dimrit për shkak të remonteve, ndotja në qytet është më e lartë. Ndërsa në verë, kur prodhimi është në kapacitet të plotë, ajri është më i pastër. Kjo tregon qartë se ndotja nuk lidhet me punën tonë”, thuhet në reagim.
TITAN Usje nënvizon se posedon Leje Ekologjike të Integruar të tipit A, realizon monitorim 24-orësh të emetimeve dhe përdor sisteme të avancuara filtrimi, duke garantuar mbrojtje maksimale të mjedisit.
Kompania shpreh gatishmëri për transparencë të plotë dhe fton publikun dhe institucionet që ta vizitojnë nga afër për t’u bindur në mënyrë direkte për standardet dhe teknologjinë që përdor.



