Prokuroria Publike është duke ndërmarrë veprime hetimore për të gjitha raportet që së fundi kanë dalë nga Enti Shtetëror i Revizionit e që i referohen disa institucioneve të nivelit qendror dhe komunave.
“Të gjitha raportet i janë dorëzuar prokurorive përkatëse dhe janë formuar lëndë për t’i vërtetuar gjetjet në raporte”, thonë nga Prokuroria Publike.
Lidhur me raportin e dalë mbi shpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, Prokuroria Publike thotë se në dobi të hetimit dhe procedurës para hetimore ka kërkuar raport shtesë për t’i vërtetuar dyshimet paraprake.
“Qëllimi ishte që gjetjet nga raporti i Revizionit deri sa janë gati, të mund të përdoren si dëshmi në korniza të disa lëndëve (hetime dhe parahetime) që i referohen punës së Lotarisë Shtetërore”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Enti i Revizionit së fundi ka shpalosur disa raporte me gjetje konkrete. Lëshime dhe bazë për vepra penale janë gjetur në Lotarinë Shtetërore, Ministrinë e Ekonomisë, në Shoqërinë Aksionare NOMAGAS dhe Komuna e Sarajit.





