7.8 C
Skopje
Wednesday, December 24, 2025

Sulme të reja në Ukrainë para Krishtlindjeve, Papa Leoni XIV: Të respektohet armëpushimi

Të paktën tre vetë u vranë nga sulmet e përsëritura ajrore ruse në Ukrainë. Një fëmijë katërvjeçar u vra në rajonin Zhytomyr në perëndim të kryeqytetit, Kiev, kur një dron goditi një ndërtesë banimi, njoftoi Presidenti Zelensky përmes mediave sociale.

Sipas autoriteteve në rajon u plagosën edhe gjashtë persona të tjerë, ndër ta dy fëmijë. Zelenski deklaroi gjithashtu se nga një sulm me dron rus në rajonin e Kievit u vra një grua. Një viktimë pati edhe në rajonin Khmelnytsky. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimet kundërajrore.

Në një kohë kur temperaturat në Ukrainë janë shumë të ulëta, Moska ka vënë në shënjestër dhe po godet gjithnjë e më shumë infrastrukturën energjetike.

Presidenti ukrainas deklaroi se Rusia kishte përdorur në sulmet e saj të fundit 650 dronë dhe mjaft raketa të telekomanduara. Njësitë e mbrojtjes kundërajrore rrëzuan shumë prej dronëve dhe raketave, por pati edhe dëme.

“Këto sulme bëhen para Krishtlindjeve, kur njerëzit duan të jenë të sigurt në shtëpi me familjet e tyre”, tha Zelenski. Ai shtoi se Presidenti rus Vladimir Putin po tregon se nuk do t’u japë fund vrasjeve. Bota duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës, tha Zelenski, i cili postoi në mediat sociale fotografi të shumta prej shkatërrimeve të fundit nga sulmet ruse.

Papa Leo XIV i kërkoi Rusisë një armëpushim 24-orësh për festën e Krishtlindjes në Ukrainë. Sipas Vatican News Papa tha: “Më trishton vërtet fakti që Rusia me sa duket e ka refuzuar armëpushimin për Krishtlindje. E përsëris thirrjen time për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që të respektojnë të paktën një armëpushim 24-orësh në Festën e Lindjes së Jezusit. Në Ukrainë dhe në të gjithë botën.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit