Sot po flas para njerëzve që mbajnë një peshë të veçantë në këtë shoqëri. Njerëz që e njohin atdheun si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Njerëz që u larguan, jo sepse dëshironin ta braktisnin atdheun, por sepse jeta, koha dhe rrethanat i detyruan të kërkonin kushte më të mira, siguri dhe perspektivë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja – njerëz që janë kthyer dhe kanë nisur këtu një histori të re dhe të suksesshme.
Kthimi juaj nuk është simbolik. Ai është thelbësor. Është një mesazh se Maqedonia nuk është harruar, se rrënjët nuk janë këputur dhe se dashuria për shtëpinë nuk zhduket, pa marrë parasysh vitet dhe largësinë.
Dua të them qartë dhe sinqerisht:
Ne nuk mund të zemërohemi me ata që janë larguar.
I kuptojmë.
E kuptojmë mundimin e tyre, luftën e tyre dhe vendimet e tyre të vështira.
Ne e dimë se shumë u larguan sepse nuk kishin zgjedhje. Sepse dëshironin një arsim më të mirë për fëmijët e tyre, një punë më të sigurt, një pagë dinjitoze, një jetë stabile. Dhe kjo është një nevojë njerëzore normale. Kjo është luftë për të ardhmen.
Por, gjithashtu dimë edhe diçka tjetër.
Se sa do larg që të shkojë njeriu, zemra gjithmonë e tërheq prapa.
Sepse, siç thotë me urtësi populli ynë – guri peshon në vend të vet.
Kudo që të shkoni nëpër botë, sa do të suksesshëm që të jeni, atje gjithmonë do të jeni ardhacakë.
Të nderuar miq, të çmuar, ndoshta edhe mirë të paguar – por ardhacakë. Vetëm në shtëpi je i joti. Vetëm në shtëpi emri yt, mundi yt dhe historia jote kanë rrënjë të thella dhe vlerë të qëndrueshme.
Ju që jeni sot këtu, jeni dëshmia e gjallë për këtë. Ju treguat se njohuritë dhe përvoja e fituar jashtë nuk humbasin kur ktheheni, por marrin kuptim. Ato bëhen themel për biznese të reja, vende të reja pune, ide të reja dhe energji të re në ekonominë tonë.
Vendi sot nuk është një vend që qëndron në vendnumëro. Maqedonia po ndryshon dhe po zhvillohet.
Ekonomia po rritet. Po investohet në industri, në energjetikë, në infrastrukturë. Po ndërtohen rrugë, fabrika, kapacitete që sjellin vlerë të shtuar. Po hapet hapësirë për sipërmarrje, për inovacion, për të rinjtë dhe për ata që duan të investojnë dhe të krijojnë në shtëpi.
Si Qeveri, obligimi ynë është të krijojmë kushte. Të sigurojmë stabilitet, siguri juridike, mbështetje për investime dhe një drejtim të qartë për zhvillim. Por asnjë strategji, asnjë plan nuk mund të ketë sukses pa njerëzit.
Shteti nuk ndërtohet vetëm me institucione.
Shteti ndërtohet me mendje.





