Rozafa Shpuza
Nëse e hasë kund,
shtegut përkah theqafen motet,
diftoji se i kam fiksue në bardhezinë e fotografive
frymimet që s’iu bindën përditës obeze,
teksa flirtonte si prostitutë bri urës
me parmakë dëshirash.
Diftoji se i kam plot gotat
që nguten me u cakrrue netve,
kur shpirti i falet shkumës së birrës
e buzët belbin nji melodi
të shpalosun pengjesh.
Nëse e hasë kund,
bregut ku gjurmët e ardhmënive zhbahen
si dashnitë e gocave
me zhguell kërrusun sekretesh,
diftoji se ia kam marrë detit
nji grusht zbaticash,
sa me mbushë orën e ranës
që përmbyset saora
e më ban me fillue sparit.
Nëse e hasë kund,
nën dritë t’venitun llampash
që dridhen si ndërgjegje t’lodhta,
mos i thuj kurgja për pendesat,
as për ata që ikën shtegut të moskthimit.
Nëse e hasë kund,
kurgja mos ban,
veç lene me shkue./ KultPlus.com





