-0.2 C
Skopje
Friday, December 19, 2025

Nesër në Shkup BDI do ta mbajë Kongresin partiak

Nesër në Shkup BDI do ta mbajë Kongresin partiak, megjithatë në komunikatën zyrtare të partisë nuk jepen detaje për rendin e ditës. Ajo që dihet zyrtarisht është se Ali Ahmeti pritet të rizgjidhet në krye të partisë, pasi nuk është paraqitur asnjë kundërkandidat.

Kongresi, që sipas informimit zyrtar është i rregullt, mbahet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale ku BDI pati rezultat të dobët, meqenëse humbi udhëheqjen e shumicës së komunave shqiptare.

Për këtë, në opinion, por edhe brenda BDI-së kishte thirrje për përgjegjësi lidhur me rezultatin zgjedhor, duke e drejtuar gishtin kah funksionarët që mbi dy dekada kanë dominuar skenën politike nën logon e BDI-së, duke ushtruar funksione të larta në të gjitha nivelet e pushtetit.

Duke e pasur parasysh rezultatin e dobët në zgjedhjet lokale, por edhe zërat brenda partisë, jozyrtarisht Ahmeti ka hartuar një listë me emra të njohur që pritet të zëvendësohen me emra të rinj. Megjithatë një lëvizje e këtillë, nuk është e qartë nëse çon partinë drejt reformës, apo megjithatë është një lëvizje taktike duke e lënë “gardën e vjetër” të punojë në prapaskenë.

Jozyrtarisht, në listë janë anëtarët që ushtrojnë funksione të larta partiake, respektivisht sekretari organizativ Blerim Bexheti, anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, Musa Xhaferi, anëtari i Këshillit Kombëtar Sadulla Duraku. Më tej, listës pritet t’i shtohen edhe anëtarët e Kryesisë Fatmir Dehari, Teuta Arifi, Bekim Neziri, Xhevat Ademi, Resi Abdurramani, Ejup Alimi, Bilen Saliji, Ejup Rustemi e të tjerë.

BDI, në periudhën e kaluar u godit edhe nga vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, me të cilat fillimisht funksionarin e lartë partiak Ramiz Merko e futën në Listë të Zezë, ndërsa më pas Artan Grubin, apo krahun e djathtë të Ahmetit. Për dallim prej Merkos që endet nëpër gjykata, Grubi mbi një vit ndodhet në arrati.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit