Pacientët që marrin lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike kanë pasoja në djegie të lëkurës dhe thyerje të eshtrave, sidomos në duar
Urim HASIPI
Tetovë, 19 dhjetor – Me afrimin e festave të fundvitit gjithnjë e më shumë nëpër duar të fëmijëve hasen mjete piroteknike. Nga ana tjetër, përdorimi i mjeteve piroteknike shpesh herë ka qenë fatal për shëndetin e fëmijëve dhe jo vetëm. Dhjetëra persona kanë përfunduar në kirurgjinë e Spitalit Klinik të Tetovës viteve të kaluara të cilët kanë pësuar lëndime trupore si dhe djegie në duar. Mjekët thonë se rrezikshmëria është e madhe nga përdorimi i pakujdesshëm i fishekzjarrëve dhe mjeteve tjera piroteknike. Kryeshefi i repartit të Kirurgjisë, Ilaz Miftari, thotë se tashmë në treg ka më shumë lloje të mjeteve piroteknike dhe qasja është më e lehtë që një fëmijë të blejë të njëjtat.
“Fëmijët në këtë kohë janë më shumë nën mbikëqyrjen e prindërve për dallim nga vitet e mëhershme sepse fëmijët kanë qenë më të lirë nga ana e prindërve. Por, mundësitë materiale dhe mjetet piroteknike kanë qenë më pak të qasshme për fëmijët e atëhershëm dhe lëndime ka pasur më pak. Po ashtu, ka edhe një instinkt ose frikë që ekziston tek fëmijët kur përdorin mjete piroteknike dhe kjo në shumë raste është mirë, sepse i mbron ata nga pasojat”, thotë Ilaz Miftari, kirurg.
Pacientët që marrin lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike kanë pasoja në djegie të lëkurës dhe thyerje të eshtrave, sidomos në duar.
“Zakonisht na paraqiten lëndime nga djegiet, të cilat janë mjaft serioze dhe gjithsesi lënë pasoja edhe pse tek ne kemi djegie deri të shkallës së tretë që do të thotë se përveçse epidermës apo mbilëkurës (sipërfaqësore) kemi edhe djegie të dermës. Përveç këtyre lëndimeve, kemi edhe pacientë që vijnë me probleme me organet e frymëmarrjes, që vijnë nga tymi i flakadanëve. Si lëndime më të zakonshme janë lëndimet e ekstremiteteve që zakonisht ndodhin tek fëmijët. Lëndimet janë të mëdha dhe kemi thyerje të eshtrave të duarve ose gishtërinjve. Por më shumë kemi lëndime nënlëkurore ku lëndohen tetivat e muskujve të cilët më pas do të duhen të korrigjohen dhe rikorrigjohen me operacione në kirurgjinë plastike, të cilët lënë edhe invaliditet tek fëmijët”, thotë kirurgu Miftari.
Apelohet për më shumë kujdes që të parandalohet përdorimi i mjeteve piroteknike sepse pasojat shpesh herë janë të pariparueshme. “Parandalimi është më kryesor. Por këtë duhet ta ketë parasysh edhe shteti edhe prindërit edhe arsimtarët kanë një lloj përgjegjësie që të mos vjen deri tek lëndimi. Sepse nëse vjen deri tek lëndimi, mundësitë janë të limituara, jo se mjekësia nuk ka përparuar, por është e pamundshme që të rikthehet funksioni i organizmit në gjendjen e mëparshme”, pohon kirurgu Miftari.
Në Spitalin Klinik të Tetovës thonë se statistika të sakta nuk ka se sa persona lëndohen me mjete piroteknike gjatë festave të fundvitit për shkak se kjo varet edhe nga llojet e lëndimeve që marrin pacientët. Ata që marrin lëndime trupore përfundojnë në kirurgji, ata që marrin lëndime në sy dhe vesh përfundojnë në reparte tjera, kurse djegiet në trup përfundojnë në repartin e sëmundjeve të lëkurës. Mjekët thonë se më shumë lëndime nga mjetet piroteknike marrin fëmijët, të cilët janë më pak të prirur për të kuptuar për pasojat. (koha.mk)





