Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot e kaloi festën e madhe fetare të Shën Nikollës – mbrojtësit të qytetit të Shtipit – pikërisht në këtë qytet, ku mori pjesë në liturgjinë solemne dhe në ceremoninë tradicionale të thyerjes së kulaçit festiv.
Ngjarja u zhvillua në praninë e Shenjtërisë së Tij z. z. Stefan, Kryepeshkop i Ohrit dhe Maqedonisë, si dhe të kryetarit të Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, së bashku me shumë besimtarë dhe qytetarë.
Në kuadër të agjendës së sotme, ministri Perinski mori pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit Rajonal të Rajonit Planor Lindor, ku u diskutuan aktivitetet aktuale dhe të ardhshme që lidhen me zbatimin e politikave për zhvillim të barabartë rajonal.
Gjatë vizitës, ministri inspektoi edhe projektin EcoScape – “Transformimi i lokacioneve urbane përmes infrastrukturës së gjelbër”, i cili zbatohet në kuadër të Prioritetit 1: Rajon kufitar më i gjelbër, të programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar. Në këtë prioritet financohen gjashtë projekte me vlerë totale mbi 5.1 milionë euro.
“Çdo projekt i tillë dhe çdo investim janë jashtëzakonisht të rëndësishme për komunat, sepse nënkuptojnë përmirësim konkret të jetës së përditshme të qytetarëve – më shumë hapësira të gjelbra dhe mjedis urban më cilësor. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, përmes bashkëfinancimit kombëtar, mbetet partner i përkushtuar i komunave në realizimin e këtyre projekteve. I ftoj të gjitha komunat të shfrytëzojnë maksimalisht burimet dhe mbështetjen që u vëmë në dispozicion,” deklaroi ministri Perinski.
Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, informoi se komuna tashmë ka filluar zbatimin e aktiviteteve investuese në kuadër të projektit EcoScape, të cilat përfshijnë zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër, rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe ndërtimin e tre parqeve – dy parqe urbane dhe një park më i vogël.
“Synimi ynë është që në periudhën e ardhshme, Shtipi të shndërrohet në shembull të një komune që i kushton vëmendje integrimit dhe koordinimit të gjelbërimit urban, duke promovuar zgjidhje praktike ekologjike dhe më shumë hapësira të gjelbra në mjediset urbane,” theksoi Jordanov.
Gjatë ditës u mbajt edhe konferenca e parë për shtyp e projektit “Zhvillimi i integruar i turizmit të njohur kulturor dhe natyror në Rajonin Planor Lindor dhe Rajonin e Bllagoevgradit”, me ç’rast u shënua zyrtarisht fillimi i një tjetër iniciative të rëndësishme ndërkufitare.
Projekti zbatohet përmes programit IPA 3, në kuadër të Prioritetit 3: Zhvillimi i integruar i rajonit ndërkufitar, me një buxhet total prej 1.054.056,20 euro, dhe ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit përmes lidhjes së trashëgimisë kulturore dhe resurseve natyrore të të dy rajoneve.





