6.8 C
Skopje
Friday, December 19, 2025

Aliu: Kemi përcaktuar programe të reja specializimi – po e ndryshojmë rrënjësisht qasjen në krijimin e kuadrit mjekësor që do të jetë shtylla e sistemit shëndetësor

Në press-konferencën e sotme të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetaren e Odës së Mjekëve, Kalina Grivçeva Stardellova, dekanin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, prof. dr. Svetozar Antoviq, si dhe përfaqësuesit e fakulteteve të mjekësisë në Tetovë dhe Shtip, u prezantuan programet e reja të specializimeve, të cilat sjellin një ndryshim thelbësor në qasjen ndaj formimit të kuadrit mjekësor.
“Politikat, masat dhe propozimet që i iniciojmë si Ministri e Shëndetësisë, i diskutojmë gjithmonë me kujdes me komunitetin profesional, dhe përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe partneriteti, ndërtojmë së bashku politika dhe praktika të reja në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor. Në press-konferencën e sotme po paralajmërojmë një nga ndryshimet më thelbësore në sistemin shëndetësor. Janë përcaktuar programe të reja specializimi, me të cilat ndryshon rrënjësisht mënyra se si përgatisim kuadrin mjekësor që do të jetë bartës i sistemit në vitet në vijim.
Për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, programet në arsimin e lartë mjekësor nuk janë përditësuar në mënyrë thelbësore, ndërkohë që realiteti ka ndryshuar ndjeshëm: kemi ndryshime demografike, ndryshime në shpeshtësinë e sëmundjeve, pritshmëri të reja të pacientëve, por edhe zhvillime të reja në vetë mjekësinë. Unë vij nga sektori i IT-së, ku nëse për 15 vjet nuk e ndryshoni modelin, nuk përgatisni më kuadër për të ardhmen. E njëjta vlen edhe për shëndetësinë – nëse nuk i modernizojmë programet, do ta humbasim mundësinë që metodat dhe teknologjitë e reja të bëhen pjesë e praktikës së përditshme klinike”,- theksoi ministri Aliu.
Ai nënvizoi se qëllimi është të krijohet fillimisht një mjek me specializim të përgjithshëm, i cili mund t’u përgjigjet nevojave reale të qytetarëve jashtë spitaleve klinike, në spitalet e përgjithshme dhe rajonale, në nivelin e shëndetësisë sekondare, aty ku janë nevojat më të mëdha reale shëndetësore të qytetarëve. Në këtë mënyrë, sistemi shëndetësor do të përfitojë një shpërndarje më të barabartë të kuadrit mjekësor, i cili do të jetë në gjendje të ofrojë trajtim specialist për sëmundjet kronike, gjendjet urgjente, të sigurojë vazhdimësi të terapisë, diagnostikim në kohë dhe referim të duhur drejt shëndetësisë terciare.
“Thelbi i programeve të reja është i thjeshtë, por njëkohësisht edhe i guximshëm: braktiset logjika e specializimeve tepër të ngushta si pikënisje dhe ndërtohet një bazë e fortë klinike e përgjithshme, mbi të cilën më pas do të ndërtohet në mënyrë racionale përmes subspecializimeve. Kjo nënkupton fillimisht një internist të fortë dhe një kirurg të përgjithshëm të fortë, e më pas, aty ku ka nevojë, procesi arsimor do të vazhdojë me kardiologji, gastroenterologji-hepatologji, endokrinologji dhe fusha të tjera si avancim subspecialistik. Programet do të jenë të unifikuara për të tri fakultetet e mjekësisë në vend. Kjo do të thotë një standard i vetëm, kritere të barabarta dhe cilësi e njëjtë e programeve”,- përfundoi ministri.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Svetozar Antoviq, sqaroi se më parë ekzistonin specializime ku mjeku duhej të ishte specialist i përgjithshëm ose internist i përgjithshëm, dhe këto specializime zgjatnin katër vjet, duke përmbushur të gjitha nevojat e spitaleve të shëndetësisë publike sekondare. Ndërkohë, klinikat dhe disa nga spitalet më të mëdha, si Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, kishin nevojë për kuadër shtesë shumë të specializuar, i cili vazhdonte me subspecializime dyvjeçare.
“Kjo është vërejtur gjatë periudhës së kaluar, por tani, në bashkëpunim me të gjithë shefat e katedrave dhe profesorët e fakulteteve të mjekësisë, më në fund po e rishikojmë këtë çështje, sepse duhet të rikthehen specializimet e përgjithshme, veçanërisht në kirurgji dhe mjekësi interne, të cilat do të ofrojnë atë që shtetit tonë i nevojitet realisht”,- informoi prof. Antoviq.
Kryetarja e Odës së Mjekëve theksoi se Oda ishte iniciatore e këtij procesi, duke pasur parasysh se në takimet e përditshme me kolegët është konstatuar se modeli i specializimeve gjatë këtyre 15 viteve nuk ka qenë mjaftueshëm i mirë.
“Ne kemi nevojë t’u mundësojmë mjekëve që janë shkolluar të jenë në gjendje të kontrollojnë pacientë dhe, nëse është e nevojshme, t’i referojnë më tej në institucione përkatëse të nivelit më të lartë. Specializimet aktuale janë tepër të gjata në krahasim me subspecializimet dhe pikërisht për këtë arsye, së bashku e kemi përcaktuar këtë model të ri”,- theksoi Grivçeva Stardellova.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit